Forum biznes Maqedonia e Veriut -Bullgari, në shenjë të këmbimit tregtar prej miliarda euro

Me iniciativë të Ministrave të Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të Republikës së Bullgarisë, Bujar Osmani dhe Nikollai Millkov, sot në Shkup u mbajt Forumi Biznesi me titull “Deri në një miliard dhe përtej”.

Në panelet ku morën pjesë aktivisht përfaqësues nga odat ekonomike, nga institucionet përkatëse dhe komuniteti i biznesit të të dy vendeve, me praninë e më shumë se 150 kompanive, tema nga sfera e energjisë, infrastrukturës, bujqësisë, turizmit, IT-së etj.

“Këtë vit vetëm në tre mujorin e parë kemi pasur një rritje prej mbi 50%, me të cilën shkëmbimi tregtar i ka kaluar 700 milionë euro dhe projeksioni ka treguar se këtë vit do të kalohet pragu prej një miliardë eurosh”, theksoi Osmani në fjalimin e tij të hapjes. Një trend i tillë pozitiv ndodh pavarësisht se lidhja me infrastrukturë nuk e lehtëson këtë dinamikë, por subjektet e biznesit të të dy vendeve gjejnë mënyra për të bashkëpunuar. Në këtë drejtim sigurisht që do të ndihmojnë grupet punuese ndërdepartamentale të riaktivizuara, për të cilat është rënë dakord për një sërë aktivitetesh dhe takimesh.

“Para nesh është një dekadë në të cilën parashikimet tona janë që Maqedonia e Veriut të përmbushë prioritetin e dytë strategjik dhe të bëhet anëtare e plotë e BE-së. Nuk e kuptoj pse të mos i vendosim vetes një objektivë ambicioz, por të arritshme, këtë periudhë, të dyfishojmë këtë një miliard. Kjo nuk bëhet me pritje, as vetëm me ambicie të bizneseve, por edhe duke krijuar kushte të përshtatshme për biznesin: lidhje infrastrukturore dhe energjetike; ndërtimi i hekurudhave, rrugëve; hapja e pikave të reja kufitare, nxitja e bashkëpunimit ndërkufitar etj.” theksoi Osmani.

Në kuadër të forumit të biznesit janë nënshkruar katër kontrata nga kompani nga të dyja vendet, me vlerë mbi tre milionë euro.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu