Gara presidenciale në SHBA, vazhdojnë përplasjet për taksat

Dyshimet se manjati i pasurive të paluajtshme Donald Trump mund t’i kishte shmangur taksat për vite me radhe Hillary Clinton i shprehu haptazi në debatin e tyre të parë televiziv, por pasi ato u konfirmuan edhe nga gazeta “New York Times”, kandidatja demokrate nuk humb më kohë për ta sulmuar ashpër rivalin.

Gjatë një tubimi elektoral në Ohajo, ish-sekretarja amerikane e Shtetit e quajti Trump-in, simbolin e një sistemi të manipuluar.

“Ndërsa miliona familje amerikanë punonin fort për të shlyer detyrimet e tyre duket se ai ka preferuar të mos kontribuojë me asgjë. Trump përfaqëson po atë sistem të manipuluar që pretendon se do të ndryshojë”, tha Clinton.

“Është Trumpi i pari, pastaj vijnë të tjerë”, shtoi më tej demokratja, pak ditë pas publikimit të artikullit të “New York Times”, që sugjeroi se biznesmeni mund t’i jetë shmangur taksave për 18 vjet, pas deklarimit të një humbje prej afro 1 miliard dollarësh në 1995.

Por vetë manjati i pasurive të paluajtshme ka thënë se dokumentet vetëm sa kishin treguar mënyrën brilante me të cilën kishte menaxhuar kodin kompleks të taksave. “I kuptoj taksat më mirë se kushdo tjetër”, pohoi ai, duke shtuar se si ndërtues hotelesh dhe biznesmen i kishte shfrytëzuar në shërbim të tij dhe të kompanisë, ligjet e taksave.

Mendjemprehtësia në biznes, sipas tij, e bën super të kualifikuar për të reformuar kodin e taksave. Por rivalja demokrate e quan atë një hipokrit pasi po e reklamon veten si një kandidat që do të sjellë ndryshim e do të reformojë sistemin në favor të shtresës së mesme.

Polemikat për taksat pritet të dominojnë edhe debatin mes kandidatëve për zv/president republikanin Mike Pence dhe demokratin Tim Caine që do të mbahet në mbrëmje.

Sipas një sondazhi të CNN dhe “ORC Clinton”, pas duelit të parë televiziv Clinton ka kaluar në avantazh me 5 pikë në rang kombëtar dhe po shkëputet gjithashtu edhe në disa prej shteteve kyçe.  / Top Channel


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu