Gashi: Fokusi i BESËS, beteja me BDI-në e jo me opozitën

“Nuk ka mbetur një grimcë gjëje që na ka shkuar ndërmend se mund të shkojë në frymën e bashkimit opozitar e që nuk e kemi bërë”. Kështu u shpreh në emisionin debativ “Arena”, Afrim Gashi, sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, duke folur mbi refuzimin e ftesës për takim nga ana e LR-PDSH-së dhe “Unitetit”. Ai ka shtuar se ata që e dëshirojnë bashkëpunimin gjejnë mënyra për të bashkëpunuar, ndërsa ata që nuk duan gjejnë arsye për të mos bashkëpunuar.

“ Nëse duam bashkëpunim të opozitës një nga subjektet e rëndësishme sipas neve edhe sipas gjithëve është se RDK-ja duhet të jetë pjesë e atij koalicion. Fatkeqësisht i kemi dy RDK. Njëra që e ka legjitimitetin e organeve të partisë dhe tjetra që ka vulën. Njëra e cila dëshiron bashkëpunim dhe tjetra që nuk dëshiron. BESA është me atë RDK që e dëshiron bashkëpunimin dhe LR-PDSH është me atë RDK që nuk e dëshiron bashkëpunimin”, deklaroi Afrim Gashi, Sekretar i Lëvizjes BESA.

 Analisti politik Ismet Ramadani në “Arena” tha se nëse synimi i partive jashtë parlamentare është rrëzimi i BDI-së, ‘të keqes së shqiptarëve’, siç e quajti ai partinë e Ahmetit, atëherë çështjet protokollare nuk duhen të kenë rëndësi.

“Dalë ngadalë zgjedhjet po afrohen dhe nëse është synim i sinqertë për të bashkëpunuar, për ta larguar këtë qeverisje të keqe, atëherë nuk duhet të nxirren ose të kapen në çështje të cilat, thjeshtë në synimin për tu bashkuar dhe për të fituar opozita nuk kanë shumë rëndësi”, tha Ismet Ramadani, analist politik.

Ndërkaq politologu Xhenis Sulimani tha se ajo që duhet të bëjnë partitë e reja opozitare është që fokusin e tyre ta përqendrojnë në shpalosjen e asaj që i ofrojnë popullit e jo të merren mes vete ngase vlerëson se populli është i lodhur me retorikën “do bashkohet apo jo opozita”.

“Populli ka dëshirë të dëgjoj se çfarë ofrojnë këto subjekte të reja politike. Vetëm në këtë mënyrë mendoj se do ta bindin dhe do të fitojnë kredibilitet. Anketat tregojnë se diku 50 për qind nuk do të dalin në votime. Synimi kryesor do të jetë tërheqja e këtyre votuesve po kuptohet që ajo bëhet me bindje politike, me program politikë, që është ndryshe nga ajo që po e përmendim e keqja e përgjithshme”, deklaroi Xhenis Sulimani, politolog.

Më tutje gjatë debatit, Afrim Gashi tha se fokusi i BESËS tani e tutje do të jetë në mposhtjen e BDI-së. Ai tha se është e rëndësishme që në opinion të mos krijohet bindja se BDI mund të del përsëri fituese e zgjedhjeve, ndërsa tregoi edhe mënyrën se si mund të mposhtet ajo.

“ Ne duhet këtë të luftojmë bashkërisht. E para t’i motivojmë shqiptarët që ditën e zgjedhjeve të dalin të votojnë se ajo është dita ose veridikti i tyre katër vjeçar. Edhe e dyta, mos ta votojnë BDI por le ta votojnë një parti opozitare, cilën ta duan ata”, shtoi më tej Afrim Gashi nga Lëvizja BESA.

Ai shtoi se tani ka zgjedhje për kë mund të votohet ngase deri tani siç tha ai shqiptarët kanë qenë të detyruar të votojnë më pak të keqin mes Ahmetit dhe Thaçit.


Gashi: Fokusi i BESËS, beteja me BDI-në e jo me… by tvshenjaofficial


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu