Përplasjet institucionale mes policisë dhe gjykatës rrezikojnë dështimin e një procesi penal dhe lirimin e të akuzuarit se ka përdhunuar vajzën e tij. Këtë fakt e ka bërë të ditur gjatë seancës gjyqtari i çështjes Gerd Hoxha.
Sipas Hoxhës, procesi penal ndaj Fatos Gurakuqit, i akuzuar për marrëdhënie seksuale në gjini, dështon prej dy seancash pasi policia shkencore nuk pranon të sjellë aktin e ekspertimit të ADN-së, me pretendimin se gjykata nuk ka paguar shumën prej 60 mijë lekësh për shërbimin e kërkuar.
Në këto kushte, gjyqtari Hoxha u ka kujtuar autoriteteve të policisë se kërkesa për ekspertizën e ADN-së është bërë nga gjykata dhe jo nga palët.
“Të gjitha shpenzimet procedurale penale parapaguhen nga shteti, me përjashtim të atyre të kërkuara nga palët, që në këtë rast nuk është private, por e ka kërkuar shteti. Në shpenzimet procedurale përfshihen të gjitha shërbimet si mbikëqyrje, eksperimente, ekspertime e gjithçka tjetër”, deklaroi Hoxha.
Gjyqtari Hoxha njoftoi edhe masat që do të marrë për zgjidhjen e këtij rasti, që po rrezikon të kthehet në fenomen.
“Për këtë situatë të paprecedentë do të njoftoj drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ministrin e Brendshëm dhe në cilësinë e anëtarit KLD-në, që të komunikojë në rrugë zyrtare, ta ngrejë si shqetësim, pasi ka ankesa edhe nga gjyqtarë të tjerë për zvarritje të pakuptimta”, paralajmëroi Hoxha./TopChannel