Grubi: Përdorimi i gjuhës amtare është vlerë e çmuar e shtetit tonë të përbashkët

Me qëllim të ruajtjes dhe promovimit të gjuhës amtare, përkatësisht shënimit të Ditës Ndërkombëtare të gjuhës amtare, sot zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi organizoi tryezë të rrumbullakët.

Në këtë debat ishin të pranishëm drejtori i Agjencisë për zbatimin e gjuhës, Ylber Sela, drejtori i Agjencisë për realizimin e të drejtave të pakicave në RMV, Eran Kurtish, sekretari shtetëror në ministrinë e arsimit dhe shkencës, Selatin Beluli, drejtori i drejtorisë për arsim, Milutin Stançiq, drejtori i drejtorisë për kulturë, Admir Ujkanoviq, drejtor i inspektoratit të gjuhëve, Fatmir Iseni dhe zëvendësministri i Ministrisë për Sistemt politik, Ilhan Rahman.

Zëvendëskryeministri i parë para të pranishmëve ka thënë se përkrahja e përdorimit të gjuhëve amtare nga ana e shtetit ka një rëndësi të veçantë. Kushtetuta e vendit, por edhe Ligji i gjuhës mundëson përdorimin zyrtar në nivel qendror dhe lokal të disa gjuhëve amtare dhe bashkë me procesin arsimor që zhvillohet në disa gjuhë është treguesi më i mirë që ne si shoqëri kemi bërë hapa para në ngritjen e vlerës së gjuhëve amtare.

Nga ana e tij, drejtori i Agjencisë për zbatimin e gjuhës, Ylber Sela ka thënë se dallimet gjuhësore, karakteri multi-kulturor i shoqërisë në RMV paraqet avantazh e jo handikap dhe që këto si specifika duhet të kultivohen dhe avancohen sistematikisht në mënyrë që të sigurohet kohezion shoqëror ndërmjet komuniteteve.

Ndërkohë drejtori i Agjencisë për realizimin e të drejtave të pakicave në vend, Eran Kurtish në fjalën e tij në këtë tryezë të rrumbullakët ka thënë se ngjarjet që bashkojnë komunitetet mes vete duhet të organizohen më shpesh, kurse zëvendësministri për Sistem Politik, Ilhan Rahman ka thënë se Maqedonia e Veriut mund të konsiderohet shembull sa i përket mundësive ligjore me qëllim përdorimit të gjuhëve amtare.

Drejtori i drejtorisë për arsim, Milutin Stançiq në fjalën e tij tha se nxitjes së shumë gjuhësisë dhe përfshirjes në arsim dhe shoqëri duhet të ketë vëmendje të veçantë në mënyrë që për fëmijët gjuha e tyre amtare të jetë gjithmonë një avantazh.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi në fund të këtij debati gjithashtu ka thënë se Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive gjithnjë e më shumë po merr një rol qendror në krijimin e politikave gjuhësore dhe integrimit të bashkësive etnike në jetën publike të vendit dhe natyrisht që një element shumë i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi me institucionet tjera që janë krijuar në frymën e realizimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Kjo tryezë e rrumbullakët ishte vetëm fillimi i debateve që do të organizohen jo vetëm në këtë temë, por edhe në të gjitha temat tjerat që prekin koloritin e bukur të shumë kulturave në Republikën e Maqedonisë e Veriut.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu