“Grupi i zjarrit” fiton betejën brenda BDI-së? Mexhiti, Bexheti, Bejta e Musa Xhaferi me pozita të mira në parti?

Kështu u shpreh kreu i BDI-së Ali Ahmeti në hyrje të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, por nga të gjitha ato që janë parë dhe dëgjuar, tregojnë se muaji i fundit, e sidomos këto dy ditët e fundit, kanë qenë me zhvillime dramatike brenda Bashkimit Demokratik për Integrim.

Mbrëmë, pas 6 orësh takim në selinë në Reçicë të Vogël, integrisët, të ndarë në dy taborë mes gjeneratës më të re dhe të ashtuquajturit “grupi i zjarrit”, më në fund dolën me një ujdi për emrat që do të jenë në kryesi të partisë. Kur pritej që kryetari Ali Ahmeti minimalisht do të pranonte kërkesat e të pakënaqurve, duke i lënë jashtë udhëheqësisë partiake, gjithçka ndryshoi.

Emrat fillestarë që dje qarkullonin për postet drejtuese të partisë, nga “grupi i zjarrit” dukej se ishte “rehatuar” vetëm Izet Mexhiti duke u propozuar si nënkryetar i BDI-së. Në po këtë listë fillestare si nënkryetare ishte propozuar edhe deputetja nga Gostivari Arta Zendeli-Bilalli, ndërsa Valdet Xhaferi si Sekretar organizativ, dy figura që tek integristët dihet hapur se nuk bëjnë pjesë te njerëzit e afërt të Nevzat Bejtës. Më pas, për çudi këto dy emra zhduken nga lista e përfolur por që ende nuk ishte konfirmuar nga partia. Nga kjo mund të nënkuptohet se Nevzat Bejta është rikthyer “në lojë” duke i larguar këto dy propozime dhe duke sjellë emrin e Saranda Imerit për Sekretare për mundësi të barabarta, që njihet si e afërt me bashkëpartiakun Bejta nga dega e Gostivarit.

Emri i saj u konfirmua sot pas mbledhjes së 4-të të Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së, me prani të gati të të gjithë anëtarëve. Nga selia blu informojnë se “Këshilli Organizativ i BDI-së njëzëri miratoi emrat e propozuar nga kryetari Ali Ahmeti për anëtarë të Kryesisë Qendrore”.

Kështu, Faton Ahmeti u zgjodh si Sekretar i Përgjithshëm, Blerim buxheti, pjesë e “grupit të zjarrit” u zgjodh si Sekretar Organizativ. Bashkëpartiaku i tij po ashtu nga grupi i të pakënaqurve Izet Mexhiti u zgjodh nënkryetar si emër nga dega e Çairit. Të njëjtin post do ta mbajë edhe Bajram Rexhepi që vjen nga dega e integristëve në Tetovë, Arbër Ademi nga dega Kumanovë-Likovë dhe Arbana Pasholli nga ajo e Dibrës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu