Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, deputet i zgjedhur për Legjislaturën njëmbëdhjetë, tha se e di planin e Kurtit, që sipas tij, është ta çojë vendin sërish në zgjedhje.
Ai ka theksuar se Kurti mund të ndalet vetëm me një bashkim të partive të tjera. Sipas tij, kjo mund të ndodhë me një kandidat të përbashkët për president, mes PDK-së, LDK-së dhe Aleancës.
“Përderisa nuk kemi, një kontratë edhe s’kemi një ofertë, ne jetojmë në epokën Kurti, në agjendën Kurti dhe ai do ta zbatojë atë që di më së miri, një lloj eksperimentimi me Kosovën e do të na dërgojë në zgjedhje prapë. Pra kjo është ajo që e di edhe ajo që po ndodh. Nga përvoja ime politike e gjatë unë po e lexoj këtë”, ka thënë Haradinaj. “Opozita mundet pra, me hy e me qenë faktor në marrjen e fatit të vendit në dorë, duke pasur një kontratë mes vete, edhe një kandidaturë për president. Nëse dikush nga opozita e merr mbështetjen e opozitës, gjithsesi që do ta mbështesja, nëse do të isha i propozuar (për president v.j.) do ta shqyrtoja. Pra, nuk jam kandidat, nuk kam kushte, nuk kam kërkesë për askënd”.
Ai ka mohuar çfarëdo mundësie bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Ne nuk bëhemi pjesë e qeverisjes ose vazhdimit të qeverisjes Kurti, se e kemi shpjeguar disa herë sa e dëmshme edhe sa humbje është për Kosovën. Po e thashë edhe një herë, përderisa VV nuk bie nën 40 për qind, do të jetojmë në epokën Kurti, në agjendën Kurti, në eksperimentin Kurti. Mundemi me e pengu këtë, mundemi me e ndryshu vetëm nëse bëhemi bashkë opozita”, ka theksuar Haradinaj.










