Hashim Thaçi: Ndërkombëtarët na izoluan, duhet të shikojmë bashkimin Kosovë-Shqipëri

Operacioni “Shigjeta” është kulmi i betejave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila theu kufirin në mes Kosovës dhe Shqipërisë, tha presidenti Hashim Thaçi në akademinë përkujtimore për të rënët gjatë operacionit “Shigjeta DO-2” dhe luftimeve në Pashtrik.

Ai edhe këtu ka përmendur idenë e projektit të bashkimit kombëtar, ku sipas tij ëndrra historike e shqiptarëve, kurrë më afër nuk ka qenë se sa sot.

Thaçi tha se projekti i bashkimit kombëtar është më i lehtë se sa ka qenë i çlirimit të Kosovës, por që sipas tij për këtë duhet vullnet i dy qeverive. Teksa ka përmendur idenë e tij për bashkim kombëtar, ka shtuar edhe idenë tjetër, atë të bashkimit të Kosovës me Preshevën, Medvegjën e Bujanocin. Tha se ndërkombëtarët e izoluan Kosovën dhe si kundërpërgjigje do të bashkohen me Shqipërinë dhe Luginën e Preshevës.

“Po që Medvegja, Presheva, Bujanovc i bashkëngjiten territorit të Kosovës, por pa u cenuar asnjë centimetër i territorit të Republikës së Kosovës. E theksova edhe dje edhe sot, është një projekt që duhet të punojmë të gjithë. Unë mendoj që asnjëherë nuk ka qenë më afër së realizuari kjo objektivë. Sa më tepër që po vonohet Bashkimi Evropian me politikën e vet diskriminuese, poshtëruese dhe ofenduese për qytetarët e Kosovës për liberalizim të vizave, duhet të shikojmë edhe alternativa që qojnë drejt një bashkimi definitiv, përfundimtar Kosovë-Shqipëri duke përfshirë edhe Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin…Realizimi i projektit të bashkimit kombëtar është më i lehtë se sa ka qenë i çlirimit të Kosovës, por duhet vullnet e dy qeverive tona”, tha Thaçi.

Presidenti Thaçi edhe një herë publikisht shtoi se Bashkësia Ndërkombëtare nuk duhet të heshtë ndaj gjenocidit të kryer në Kosovë nga forcat serbe. Ai tha se përgjatë këtyre viteve, të gjithë po bëhen më të vetëdijshëm, për gjenocidin e kryer në Kosovë.

Ai tha se operacioni “Shigjeta”, është kulmi i betejave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila theu kufirin në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Rëndësia historike e operacionit ‘Shigjeta’ apo e frontit të Pashtrikut, për historinë kombëtare është jetike, është e rëndësishme dhe është e vulosur me gjakun e gjithë atyre luftëtarëve që morën pjesë në këtë betejë, në këtë operacion, në këtë front të gjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përballë ushtrisë dhe policisë së Serbisë. Operacioni ‘Shigjeta’ ishte operacioni definitiv, përfundimtar i përmbysjes së rezistencës nga ana e ushtrisë dhe policisë serbe. Operacioni ‘Shigjeta’ përpos rëndësisë kombëtare, ka rëndësinë e jashtëzakonshme ndërkombëtare”, tha ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu