Hill tallet me Vulinin: Nuk e kuptoj çka deshi të arrijë me vizitën në Rusi, ndoshta as ai vetë s’e di

Ambasadori amerikan në Beograd, Chris Hill ka folur për vizitën e minstrit serb, Aleksandar Vulin në Rusi. Kësaj vizite, Hill i është përgjigjur me tallje, duke thënë se përveç tij, këtë vizitë mund të mos e kuptojë as vetë Vulin pse është bërë.

“Nuk e kuptoj se çfarë po përpiqej të arrinte atje. Dhe, sinqerisht, ndoshta edhe ai nuk e kupton”, tha ambasadori Hill.

Ditëve të fundit, Vulin ka qëndruar në Moskë, ku është takuar edhe me kryediplomatin rus, Sergej Lavrov.

Vulin, i njohur si një politikan radikalisht nacionalist, ka mbështetur pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Ndërkaq, sanksionet perëndimore ndaj Rusisë, i ka quajtur ‘histeri’.

Gjatë një interviste për median në Beograd, N1, Hill po ashtu tha se në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja po tentohen të bëhen dy gjëra: adresimi i çështjeve urgjente, përkatësisht vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për targat dhe dokumentet serbe dhe adresimi i çështjeve, siç tha ai, të rëndësishme.

“Të them të drejtën, pala serbe veproi mirë. E dinin se për çfarë do të flisnin, çfarë ishte e rëndësishme. Fatkeqësisht, disa prej të tjerëve nuk ishin të përgatitur për të folur për specifika”, tha Hill.

“Mendoj që për të zgjidhur këto çështje përfundimisht duhet të flisni për specifika. Por, po ashtu duhet t’i vendosni këto specifika në një kontekst më të gjerë dhe konteksti më i gjerë është çështja e komunitetit serb dhe se si ky komunitet do të jetojë në të ardhmen. Për mua është kyçe që komuniteti serb të ndihet si në shtëpi në Kosovë dhe të sigurt. Pra, janë disa përpjekje për të cilat duhet të bisedohet dhe besoj që këto përpjekje do të vazhdojnë”, shtoi ambasadori amerikan në Beograd.

Ai tha se në takimin midis Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ky i fundit shkoi i përgatitur “për të negociuar dhe vërtetë bëri punët e shtëpisë”.

Ky takim, nën ndërmjetësimin e BE-së, përfundoi pa asnjë marrëveshje.

“Prandaj, mendoj se ata [Serbia] vërtetë tentuan që të ishin fleksibil dhe për të gjetur zgjidhje”, tha Hill.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu