Hyn në grevë urie edhe Komandant Sokoli

Është zgjeruar greva e urisë e pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës që gjenden në burgun e Shutkës, e filluar ditën e diel. Në një deklaratë të dërguar deri në Gazetën Lajm, Val Zekaj ka njoftuar se prej sot, mes tjerëve në grevë është futur edhe Sami Ukshini i njohur si Komandant Sokoli.

“Prej sot grevës i janë bashkangjitur edhe Sami Ukshini, Fadil Fejzullahu dhe Genc Sefaj”, thuhet në deklaratën e Zekajt dërguar në Gazetën Lajm.

Në këtë mënyrë është rritur numri i grevistëve të Gruit të Kumanovës. Prej të dielën në grevë janë futur:

Val Zekaj
Beg Bajra
Shefqet Hallaçi
Esat Kafexholli
Ardijan Bujari
Lirim Krasniqi
Lendrit Rrustemaj

Ndërkohë është zgjeruar edhe lista kërkesave të pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës që gjenden në grevë.

“Kërkojmë veç tjerash që të fillojnë hetime ndërkombëtare dhe gjykim ndërkombëtar. Përndryshe nuk e ndërpresim grevën. Nuk ka kthim mbrapa. Sot kemi refuzuar edhe mjekun dhe ujin”, thuhet në deklaratën e Zekajt dërguar te Gazeta Lajm.
Ndryshe greva ka filluar ditën e diel me kërkesë që të pranohet kërkesa për transferim e gjithë pjesëtarëve të grupit në burgun e Idrizovës dhe përmirësim të kushteve t ë përgjithshme në burg.

Ndërkohë bashkëngjitje të shpejtë ndaj kësaj greve kanë paralajmëruar edhe pjesëtarë të Grupit që gjenden në burgun e Idrizovës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu