Indeksi i Paqes: Maqedonia e Veriut e para, Kosova e fundit në rajon

Bota po bëhet gjithnjë e më pak paqësore dhe më pak e sigurt. Ky është konludimi që mund të nxirret pas publikimit të Indeksit Global të Paqes për vitin 2022, pasi sërish, për të 11-tën herë në 14 vitet e fundit, konstatohet rënie globale e paqes dhe е sigurisë.

Sipas të dhënave nga raporti i sivjetëm, edhe përkundër luftës në Ukrainë, Evropa mbetet rajoni më paqësor në botë, me 7 nga 10 vendet më paqësore që vijnë nga kontinenti evropian. Megjithatë, Ballkani vazhdon të jetë rajoni më pak paqësor brenda Evropës.

Serbia shënon rënien më të madhe në rajon

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut cilësohet si më e sigurta, me radhitje në vendin e 36-të globalisht. Krahasuar me vitin e kaluar, Maqedonia e Veriut ka shënuar përmirësim me 4 pozita, ndërsa është rritur për 97 pozita që nga viti 2017 në renditjen globale.

Edhe Shqipëria ngjitet për 3 pozita për paqen dhe sigurinë e saj, duke u radhitur e 41-ta në botë dhe e dyta në rajon.

Mali i Zi mban pozitën e 48-të në renditjen botërore, identikisht sikurse vitin e kaluar.

Serbia nga ana tjetër shënon rënien më të madhe në rajon. Në renditjen e re të Indeksit Global të Paqes, Serbia radhitet e 52-ta në botë, duke shënuar rënie prej 5 vendeve në krahasim me vitin e kaluar.

Rënie prej një pozite ka shënuar edhe Bosnjë e Hercegovina, e cila tashmë radhitet në vendin e 58-të në botë.

Kosova edhe pse është përmirësuar për 8 pozita, me rritjen më të madhe në rajon, mbetet më pak e sigurta në Ballkanin Perëndimor. Ajo radhitet në vendin e 71-të globalisht në raportin më të ri. Çështja e veriut të Kosovës dhe marrëdhëniet e tensionuara me Serbinë janë faktorët kryesorë për radhitjen e tillë.

Islanda vendi më i sigurt, Afganistani më i pasigurti në botë

Islanda është vlerësuar si vendi më i sigurt dhe më paqësor në botë në Indeksin Global të Paqes edhe këtë vit, duke ruajtur pozitën e parë që po e mban që nga viti 2008. Zelanda e Re, Irlanda, Danimarka dhe Austria kompletojnë listën e pesë vendeve më të sigurta.

Nga ana tjetër, Afganistani radhitet si vendi më pak i sigurt. Jemeni, Siria, Rusia dhe Sudani Jugor ndjekin Afganistanin në listën e vendeve më pak paqësore në botë, sipas këtij raporti. Në përgjithësi, 90 shtete kanë përparuar në krahasim me vitin e kaluar, 70 kanë shënuar rënie, ndërsa 2 shtete kanë qenë stabile në radhitje.

Raporti paraqet analizë të bazuar në të dhëna për trendet e paqes, vlerës së saj ekonomike dhe si të zhvillohen shoqëri paqësore. Indeksi i Paqes mbulon 99.7% të popullatës botërore, duke u bazuar në 23 indikatorë nga burime të respektuara, dhe mat nivelin e paqes në 3 domene: nivelin e sigurisë shoqërore, konfliktet e brendshme e ndërkombëtare si dhe nivelin e militarizimit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu