INTERVISTA/ Kasami: Zgjedhjet e ardhshme rast historik që shqiptarët të votojnë për vetveten e jo për Gruevskin

“Pas reagimeve tona në publik dhe letrave zyrtare që dërguam te ambasadat e vendeve mike, ne kemi hasur në interesim edhe nga përfaqësuesit e këtyre ambasadave, sidomos interes të veçantë ka treguar Ambasada e SHBA-ve, e cila përkitazi me këtë na ftoi në takim. Aty ishte i pranishëm edhe zëvendës ambasadori i BE-së, i cili gjithashtu kishte qasje konstruktive. Ata në asnjë mënyrë nuk bëjnë presion, por vetëm mundohen të na ndihmojnë aq sa autoritetet e vendit lënë hapësirë për ndihmë nga ndërkombëtarët. Edhe atyre u kemi thënë se ne nuk do të ndalemi dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi, duke qenë të bindur se jemi duke vepruar drejt dhe në të mirë të vendit dhe të shqiptarëve. Lëvizja BESA është duke luftuar politikisht, që të plotësohen standardet që i kërkon BE-ja dhe NATO lidhur me procesin zgjedhor, prandaj askush nuk mund ta mohojë apo ndalojë atë që po mundohet të bëjë BESA”, thotë në megaintervistën e tij për Gazetën Laj, kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami

ISEN SALIU

Shkup, 29 gusht – A është Lëvizja Besa e gatshme për zgjedhje? A do të arrihet bashkëpunim mes opozitës shqiptare? Spekulimet për lidhjet e Lëvizjes Besa me otomanizmin? Kur do të mbahet kongresi i parë i kësaj Lëvizje? Ishin këto disa nga pyetjet në të cilat kishim vendosur ta fokusojmë intervistën tonë me kryetarin e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami. Mirëpo pas fillimit të intervistës vërejmë se brenga kryesore e kësaj Lëvizje për momentin është fati i 30 mijë votuesve të kontestuar, shumica e të cilëve janë shqiptarë. Për këtë arsye edhe fokusi jonë dal ngadalë u zhvendos nga pyetjet paraprake, te votuesit e kontestuar, sepse kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami thotë se aktivitetet e tyre për të mbrojtur të drejtën e votës së këtyre votuesve nuk kanë përfunduar me 19 gushtin, por se do të vazhdojnë deri në përmirësimin e kësaj padrejtësie, që ai e vlerëson si shkelje të drejtës elementare kushtetuese të qytetarëve. Ai premton se do të përdorin të gjitha mjetet demokratike për të mbrojtur këtë të drejtë.

Lajm: Z. Kasami, do të fillojmë me atë që është më aktuale për momentin. Cili është mendimi juaj, a do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 11 dhjetor apo do të shtyhen edhe një herë? Nëse mendoni se duhet të shtyhen, cili është termini më i përshtatshëm sipas jush për mbajtjen e tyre?

Kasami: Sikurse i tërë procesi i implementimit të Marrëveshjes së Përzhinës, ashtu edhe definimi i fundit se kur do të mbahen zgjedhjet, mbahet vetëm në qarqe të mbyllura mes katër partive pjesëmarrëse në këtë proces. A do të ketë zgjedhje më 11 dhjetor, kjo do të varet kryesisht nga beteja mes Zoran Zaevit dhe Nikolla Gruevskit. Nëse njërit prej këtyre nuk i konvenon të ketë zgjedhje në këtë datë, atëherë do të gjendet një shkak për ta bllokuar procesin dhe kështu për t’i shtyrë edhe një herë zgjedhjet. Për fat të keq, partitë shqiptare – pjesëmarrëse në bisedime, në këtë rast janë vetëm aktorë të verbër e të heshtur, sikur asgjë nuk varet nga ato porse vetëm shërbejnë si dekor në këtë proces. Ne, si Lëvizje BESA, jemi të mendimit se zgjedhjet duhet të mbahen një çast e më shpejt. Çdo ditë që këto parti kalojnë në qeveri vetëm sa i sjellin dëm vendit, andaj ne jemi të mendimit që zgjedhjet të mbahen më 11 dhjetor.

Lajm: Rreth 30 mijë votues përballen me rrezikun që të fshihen nga listat zgjedhore në mënyrë antikushtetuese dhe antiligjore, vetëm në bazë një marrëveshje mes përfaqësuesve të eshalonit të dytë të katër partive politike, marrëveshje e cila nuk ka as nënshkrime? Shumica prej votuesve të kontestuar janë shqiptarë. Çka do të thotë kjo për trupin votues shqiptarë dhe për përfaqësimin e ardhshëm të tyre në Kuvend?

Kasami: Një prej lojërave më të fëlliqura që qeveritë e mëparme por, aq më shumë, kjo e tanishme, është loja që e bëjnë me numrin e shqiptarëve. Këtë e kanë bërë gjatë gjithë regjistrimeve, duke i nxjerrë shqiptarët sa më pak që është e mundur, që më pas kjo të reflektohet edhe në zgjedhje dhe në numrin e deputetëve shqiptarë. Edhe rasti i fundit, kur nga lista e përgjithshme e votuesve do të fshihen rreth 30 mijë votues, ndër të cilët shumica shqiptarë, është sulmi i radhës që na bëhet në këtë drejtim. Qëllimi i tyre është që ta zvogëlojnë peshën politike shqiptare, duke e ulur numrin e përfaqësuesve shqiptarë. Deri tash edhe nuk e kanë pasur shumë dert, sepse paraprakisht kanë marrë garanci nga liderët shqiptarë që të jenë në shërbim të politikave maqedonase, por tash kur Lëvizja BESA shfaqet me përkrahje të madhe popullore, ata të gjithë sikur kanë konsensus mes vete që ta ndalin hovin e Lëvizjes BESA. Edhe pse mjaft po na dëmtojnë, ne jemi të bindur se – nëse ditën e zgjedhjeve shqiptarët dalin masovikisht në votime – nuk do të ketë kush t’i ndalë ata. Gjithçka është në dorën e shqiptarëve kësaj radhe, ata kanë shansin historik ta bëjnë ndryshim dhe për herë të parë të votojnë për interesat e veta e jo për dikë i cili i shet te Gruevski.

Lajm: Në ndërkohë ekziston edhe një listë ku gjenden 171 mijë votues, për të cilat ka pak informacione kush janë dhe çka u kontestohet atyre? A posedoni ju ndonjë informacion shtesë lidhur me këta 171 mijë votues dhe a ekziston rreziku që edhe atyre të ju mohohet e drejta e votës?

Kasami: Sipas asaj që ne dimë, ajo listë përbëhet nga qytetarë të Maqedonisë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit dhe se atyre nuk iu mohohet e drejta e votës, por ata do të kenë mundësinë të zgjedhin ku duan të votojnë. Nëse paraqiten në vendet ku ata janë përkohësisht, nuk do të figurojnë në listën e përgjithshme, por nëse vendosin të votojnë në vendlindje, atëherë do të mund ta bëjnë në vendvotimin ku ata jetojnë këtu në Maqedoni. Pra, vetëm janë shënuar që të dihen kush janë, sepse në të kaluarën VMRO dhe BDI më së shumti kanë manipuluar me këta votues. Të shpresojmë se kësaj here keqpërdorimet do të jenë më të vogla, aq sa të mos e shtrembërojnë vullnetin e shqiptarëve për ndryshim.

Lajm: Komisioni Shtetëror Zgjedhor pretendon se këta qytetarë do të kenë rast të ri të konfirmojnë të drejtën e votës. Sa mund ti besohet këtij zotimi që vjen nga kjo përbërje e KSHZ-së?

Kasami: Ne jemi prononcuar se pas gjithë asaj që ndodhi në Maqedoni dhe pas asaj që dëgjuam nga “bombat” e Zaevit, nuk mund t’u besohet aspak institucioneve të vendit. Kjo garniturë qeveritare e ka kapur shtetin nën kthetrat e saj, duke e vendosur nën kontroll të plotë çdo institucion shtetëror, madje edhe publik. Prandaj, ne si Lëvizje BESA nuk i besojmë aspak as KSHZ-së, as gjykatave dhe as institucioneve të tjera të këtij vendi. Për këtë arsye do të mundohemi të bëjnë gjithçka që kemi në fuqinë tonë si subjekt politik jashtëparlamentar, që ta zbusim pak gjendjen dhe t’i pengojmë aq sa mundemi keqpërdorimet. Këta njerëz, që e kanë kapur shtetin dhe që janë mësuar të vjedhin miliona nga arka shtetërore, nuk e kanë për qeder që të vjedhin votat e qytetarëve. Ne jemi këtu për t’u ballafaquar me ata, andaj do të bëjmë çmos dhe këtë betejë nuk do ta bëjmë vetëm në këto zgjedhje, por duke e vendosur atë prioritet mbi prioritete dhe nuk ndalemi asnjëherë në këtë betejë.

Lajm: Është dëshmuar se deklarimet dhe konstatimet nuk mund të pengojnë dukuritë negative, por ato mund të pengohen vetëm me veprime konkrete. A keni ndërmend ju si subjekt opozitar të ndërmerrni ndonjë veprim konkret për të penguar largimin eventual 30 mijë votuesve dhe 171 mijë tjerëve, shumica shqiptarë, nga listat zgjedhore?

Kasami: Porsa u publikua lista prej 39 mijë qytetarëve, që duhet të fshihen nga lista zgjedhore, ne menjëherë i kemi alarmuar të gjitha strukturat e Lëvizjes BESA, duke ndërmarrë një cikël veprimesh për ta ndalur këtë vjedhje para syve të botës. Aksioni më i rëndësishëm në vargun e këtyre veprimeve ka qenë identifikimi i qytetarëve që janë në këtë listë dhe informimi i tyre se rrezikohen të fshihen nga lista e përgjithshme votuesve. Më pas ata janë informuar se cila është mënyra që ata të kthehen në këtë listë, madje duke ofruar ne ta realizojmë këtë veprim për ata. Ky ishte aksion i rëndë, sepse kërkonte të shkohet shtëpi për shtëpi, pastaj kishte vështirësi të natyrave të ndryshme, por megjithatë në fund aksionin e kemi cilësuar si relativisht të suksesshëm. Kemi ndërmarrë edhe veprime të tjera, duke alarmuar gjithë bashkësinë ndërkombëtare, institucionet ndërkombëtare, por edhe ato vendore që merren me mbrojtjen e të drejtave themelore njerëzore, KSHZ-në, Avokatin e Popullit dhe, gjithashtu, kemi ngritur nismë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji para Gjykatës Kushtetuese. Një pjesë të betejës e kemi fituar, por kemi bërë të ditur para opinionit se beteja jonë vazhdon deri sa t’i mundësohet secilit qytetar realizimi i së drejtës së votës.

Lajm: I jeni drejtuar me disa letra të hapura faktorit ndërkombëtar lidhur me votuesit e kontestuar, për të cilët analizat tuaja thonë se shumica janë shqiptarë me orientim opozitar. Në ndërkohë patët edhe disa takime, siç ishte ai para disa ditëve në ambasadën Amerikane. Si reagojnë ndërkombëtarët? A bëjnë presion që të mos ketë reagime radikale, duke pas parasysh se edhe ata ishin pjesë e negociatave nga e cila doli marrëveshja për votuesit e kontestuar?

Kasami: Pas reagimeve tona në publik dhe letrave zyrtare që dërguam te ambasadat e vendeve mike, ne kemi hasur në interesim edhe nga përfaqësuesit e këtyre ambasadave, sidomos interes të veçantë ka treguar Ambasada e SHBA-ve, e cila përkitazi me këtë na ftoi në takim. Aty ishte i pranishëm edhe zëvendës ambasadori i BE-së, i cili gjithashtu kishte qasje konstruktive. Ata në asnjë mënyrë nuk bëjnë presion, por vetëm mundohen të na ndihmojnë aq sa autoritetet e vendit lënë hapësirë për ndihmë nga ndërkombëtarët. Edhe atyre u kemi thënë se ne nuk do të ndalemi dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi, duke qenë të bindur se jemi duke vepruar drejt dhe në të mirë të vendit dhe të shqiptarëve. Lëvizja BESA është duke luftuar politikisht, që të plotësohen standardet që i kërkon BE-ja dhe NATO lidhur me procesin zgjedhor, prandaj askush nuk mund ta mohojë apo ndalojë atë që po mundohet të bëjë BESA.

Lajm: Kërkesa për largimin e votuesve fiktivë ishte e LSDM-së. U fillua me arsyetimin se duhet të fshihen rreth 300 mijë votues fantomë, për të përfunduar me kontestimin e 40 mijë votuesve, prej të cilëve shumica shqiptarë. Më herët keni pasur raporte të afërta dhe disa takime me kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev. A kanë ndikuar zhvillimet e fundit në lidhje me votuesit e kontestuar në ftohjen e raporteve tuaja me socialdemokratët?

Kasami: Kur doli në skenën politike Lëvizja BESA, ajo kishte një qasje krejt tjetërfare nga subjektet e deritanishme, qoftë shqiptare ose maqedonase. Ne jemi të bindur se komunikimi mes partive politike duhet të jetë i normalizuar dhe të krijohen lidhje të komunikimit me të gjitha partitë. Megjithatë, kemi hasur në qasje jo të mira nga disa subjekte. Para se të kemi komunikim me LSDM-në, ne jemi takuar shpesh me partitë opozitare shqiptare, duke u munduar të krijojmë një klimë të mirë bashkëpunimi, por jo të gjitha ishin të gatshme për një qasje të këtillë, madje disa prej tyre ishin armiqësore ndaj nesh më shumë se ndaj partive ne pushtet, por ajo njollë e zezë u mbetet atyre dhe ata duhet ta shpjegojnë atë para shqiptarëve. Sa i përket asaj nëse ndonjë veprim i yni ndikon në raportet me LSDM-në ose me ndonjë parti tjetër, ne nuk mërzitemi shumë në këtë drejtim. Ne jemi të bindur që jemi duke vepruar drejt dhe nëse dikujt i pengon drejtësia, është problem i atyre që s’mund ta durojnë drejtësinë. Ne nuk kemi dalë në skenën politike t’i heshtim problemet reale të qytetarëve, sepse atëherë nuk do të ekzistojë arsyeja pse jemi në skenën politike. Ne dolëm pikërisht sepse partitë shqiptare ishin poltrone dhe të heshtura ndaj partive maqedonase, ndërse këtë qasje te Lëvizja BESA as nuk e keni parë e as nuk do ta shihni.

Lajm: Edhe gjatë përpilimit të listës zgjedhore, shqiptarët përballen me të njëjtin hendikep m,e të cilin përballen gjatë regjistrimi të popullsisë. Ai hendikep është se nuk mund të dinë se sa qytetarë dhe votues maqedonas ka në Maqedoni, për shkak se shqiptarët nuk kanë kurrfarë qasje te të dhënat për popullatën dhe votuesit në komunat me shumicë maqedonase. Në rastin konkret subjektet shqiptare nuk kanë mekanizëm për të verifikuar numrin e saktë të votuesve maqedonas, respektivisht numrin e votuesve fantomë që herë thuhet se janë 200 e herë 300 mijë, por assesi të konstatohet zyrtarisht. A keni menduar se si mund të tejkalohet ky problem?

Kasami: Ky shtet nuk do të mund t’i marrë asnjëherë këmbët derisa nuk bindet se duhet të bëjë një regjistrim real dhe të dihet saktë përbërja dhe numri i popullsisë në vend. Ne, natyrisht, kemi menduar për të gjitha problemet që përballën shqiptarët dhe, sidomos, për këtë problematikë. Edhe në platformën bazë të Lëvizjes BESA vendoset theks mbi regjistrimin real të popullsisë, por edhe në platformën për dalje nga kriza “Ridefinimi”, që e ofruam kur kriza aktuale sapo u shfaq, ne jorastësisht si veprim të parë të qeverisë së ekspertëve, që propozonim të formohet, e kemi shënuar se na duhet regjistrimin i popullsisë nën mbikëqyrje të Eurostatit. Por, mbi të gjitha, na duhen politikanë të cilët nuk do ta ndërpresin regjistrimin në marrëveshje me Nikolla Gruevskin vetëm sepse parandjehej se rezultatet nuk do të dalin ashtu siç i ka pritur ai. Pra, duhet vendosmëri politike që të mos lëshohet pé në këtë drejtim. Derisa kemi politikanë të këtillë çfarë i kemi tani në qeverisje, nuk bën të habitemi nëse na nxjerrin se jemi bile nën 20 %. Ashtu siç ishin duke e bërë edhe stemën e shtetit me luanin e VMRO-së dhe, madje, mundoheshin të na bindin se është luan shqiptar, ashtu deshën të veprojnë edhe me regjistrimin: mund ta bënin se jemi nën 20 % dhe të mundohen të na bindin se ajo është e vërteta. Ku dikush e ka humbur toruan, prej tij gjithçka pritet.

Lajm: A po zhvilloni konsultime me partitë tjera opozitare për të penguar fshirjen e votuesve. Me cilat prej tyre. A keni ndonjë marrëveshje konkrete për veprim?

Kasami: Ne në vazhdimësi kemi takime me partitë e ndryshme opozitare, veçmas me ato të bllokut shqiptar dhe mendoj se nuk do të jetë gjithaq lehtë dikush të fshijë dikë nga lista zgjedhore. Nuk duhet të harroni se e drejta e votës, e drejta për të zgjedhur dhe për të qenë i zgjedhur, është e drejtë kushtetuese dhe e mbrojtur me të gjitha konventat ndërkombëtare dhe do të jetë vështirë që dikush ta bëjë DELETE dikë nga lista zgjedhore. Ne që në fillim kishim paralajmëruar se, nëse ky pushtet nuk ha llaf nga reagimet, letrat dhe aksionet, do të duhet t’i bëhet me dije se ne nuk do të rrimë pasivë. Ju e patë se më 9 maj në Shkup u mblodhën 30.000 shqiptarë. Dhe, këta shqiptarë mund të dalin aty edhe nesër dhe bile të mos kthehen nëpër shtëpi derisa e drejta të vijë në vendin e vet. Askush nuk guxon ta fshijë askënd nga lista.

Lajm: Në opinion është krijuar përshtypje se vetëm një opozitë e bashkuar shqiptare mund të fitojë zgjedhjet e ardhshme. Në ndërkohë mes partive opozitare më tepër vërehet largim se afrim. Ku janë pengesat për bashkëpunim. A janë shuar gjasat për paraqitje të përbashkët të partive opozitare në zgjedhje?

Kasami: Sa i përket opinionit se vetëm bashkimi i opozitës është çelësi i suksesit, ky është një mashtrim që e ka shpikur partia në pushtet, për të dëshmuar se ajo është aq e fortë, sa vetëm një parti nuk mund ta mundë. Megjithatë, faktet flasin të kundërtën. Më 9 maj në Shkup kësaj partie i dolën në rrugë mbi 30 mijë shqiptarë dhe i thanë IK. Kjo nuk i ka ndodhur asnjë partie shqiptare në pushtet deri më sot. Prandaj, me gjithë përkushtimin tonë për bashkëpunim opozitar, unë jam i bindur se kjo parti rrëzohet edhe vetëm nëse shqiptarët e votojnë cilëndo parti opozitare ose, së paku, të mos e votojnë BDI-në. Ndërkaq, edhe nëse u referoheni hulumtimeve të opinionit publik, edhe aty gjeni argumente se fituese e zgjedhjeve të ardhshme është opozita e tanishme. Meqë flas në emër të Lëvizjes BESA, ju bind se befasia e këtyre zgjedhjeve, që do të jetë befasi edhe për historinë e pluralizmit në Maqedoni, do të jetë pikërisht BESA.

Lajm: Hendek më i madh për momentin ekziston mes Lëvizjes BESA dhe LR-PDSH-së, ndërkohë që kryetari i LR-PDSH-së Zijadin Sela para disa ditëve bëri apel për bashkëpunim pa asnjë kusht. Cila do të ishte përgjigja juaj ndaj kësaj oferte të Selës?

Kasami
: Ne jemi të fokusuar në punën tonë, në kontaktin me votuesin dhe nuk na bëjnë përshtypje thirrjet publike që bëhen vetëm për shkak të publikut. BESA është parti më serioze seç mund të pretendohet me këtë pyetje. Supozoni vetëm çka do të ndodhte nëse BESA do ta pranonte bashkëpunimin e kushtëzuar që i propozohej vitin e kaluar. Tash kur skena ka ndryshuar, çka do të bëhej me atë marrëveshje? A do të duhej ta shqyenim? Prandaj ne kemi thënë se, derisa nuk shpallen zgjedhjet, nuk mund të flasim për bashkëpunim. Vetëm atëherë do të ulemi, do të bisedojmë shtruar dhe vetëm atëherë do të vendosim se si ia bëjmë. Nga ana jonë gjithçka është e hapur, por – duke qenë seriozë në politikëbërje – temën e bashkëpunimit opozitar nuk duam ta shfrytëzojmë për pikë politike, sepse nuk duam ta lëndojmë askënd. Sa për ilustrim se sa përputhen fjalët me veprat po ju përmend 18 prillin e vitit 2016, kur u nënshkrua një deklaratë e përbashkët mes katër partive opozitare shqiptare RDK, PPD, Uniteti dhe Lëvizja BESA, vetëm LR-PDSH nuk ishte aty. Tutje vlerësojeni vetë.

Lajm: Preferoni paraqitje të përbashkët parazgjedhore të partive opozitare, apo paszgjedhore?

Kasami: Krejt kjo është çështje që do të diskutohet pasi të shpallen zgjedhjet. Parimisht as njëra as tjetra nuk përjashtohen. Varet se kush janë partnerët, cila është platforma, kush e përfaqëson palën tjetër etj. Të shpallen zgjedhjet njëherë.

Lajm: Ju angazhoheni për marrëveshje të re mes shqiptarëve dhe maqedonasve, që e quani Ridefinimi. Kjo marrëveshje shkon përtej Marrëveshjes së Ohrit, ndërkaq që një nga parimet kryesore është se ajo marrëveshje duhet të arrihet në mënyrë paqësore. A nuk është pak utopike kjo kërkesa e juaj, përderisa në realitet kemi një situatë kur partitë maqedonase të ndihmuara nga subjekte shqiptare, refuzojnë të implementojnë plotësisht Marrëveshjen e Ohrit, e cila u arrit pas luftës së vitit 2001 dhe mbanë nënshkrimet e presidentit të shtetit dhe liderëve të katër partive politike, si dhe përfaqësuesve të BE-së dhe SHBA-ve?

Kasami: Shihni, utopia është tipar i pesimistëve. Për politikanin gjithnjë duhet të ekzistojë bindja se mund ta bëjë atë që e ka synuar. Nëse ne do të kalkulonim kështu, nuk do ia vlente të dilnim në skenën politike kundër BDI-së kur ajo sapo i pat marrë 150 mijë vota. Kalkulimet janë për analistët, jo për politikanët. Ndonjëherë më shumë jep efekte presioni politik sesa ai ushtarak. Nuk do të bëjmë luftëra çdo 10 vite, por ne jemi të organizuar si formacion politik dhe jemi të përgatitur për tavolina bisedimesh, andaj do ta ecim në këtë rrugë sado utopike t’i duket dikujt. Rëndom e pabesueshme u duket atyre që ishin ushtarë e përfunduan në tavolina negociatash. Ai që është i pushkës duhet t’i mbetet besnik pushkës, ndërsa ata të lapsit t’i mbeten besnikë lapsit.

Ne mendojmë se Marrëveshja e Ohrit ka qenë një kornizë që ka mundësuar ndërtim të një shteti më të mirë, por ajo është devalvuar nga çifti VMRO-BDI në nivelin e shfrytëzimit të saj vetëm për të krijuar aktivistë partiakë. Prandaj ne duam që sapo të vijmë në pushtet, t’i mbyllim pikat e Marrëveshjes së Ohrit dhe të vazhdojmë pastaj me procesin e Ridefinimit, që nuk nënkupton detyrimisht marrëveshje me ndërmjetësim ndërkombëtar etj. Mjafton që me partnerin qeveritar të biem në ujdi se, fjala bie, çfarë nënkupton siguria në Maqedoni: të mbrohet etnia maqedonase apo të mbrohet shteti i Maqedonisë? Nëse është kjo e dyta, atëherë do të duhet të ndahen kompetencat dhe nuk mund të mbetet akoma siguria e shtetit vetëm ekskluzivitet i etnisë maqedonase. Sepse, përjashtimi i shqiptarëve i detyron ata në kërkimin e zgjidhjeve të tjera, ndërsa ne jemi seriozisht të interesuar që ky shtet të bëhet tamam shtet. Ne mendojmë se Ridefinimi është edhe interes i shtetit, sepse vetëm një proces i tillë e bën shtetin komplementar me shoqërinë. Ndryshe këtij shteti i kanosen kriza të vazhdueshme në çdo 10-15 vite.

Lajm: Kur jemi te platforma, a mund të shpjegoni në dy-tri fjalë çfarë përfaqëson Lëvizja BESA?

Kasami: Këtu do të më lejoni të shpjegoj se BESA është lëvizje tipike shqiptare në Maqedoni. Ajo është përfaqësim i asaj që është shumica e shqiptarëve të Maqedonisë, është lëvizje politike konservatore, që në vete i sintetizon dhe artikulon politikisht interesat shqiptare të Maqedonisë.

BESA mësimet e veta i nxjerr nga Rilindja Kombëtare, në veprën e Sami Frashërit, pastaj në organizatën “Xhemijet” të Nexhip e Ferhat Dragës, në organizatën e para-Luftës së Dytë Botërore “BESA”, si dhe në Organizatën Nacional-Demokratike Shqiptare të Azem Moranës Halim Oranës, Hasan Bilallit e Qemal Skenderit. Ky është bagazhi me të cilin hymë në skenë, ndërsa vizioni i BESËS është të prodhojë një shqiptar të barabartë në Maqedoni, një shqiptar të suksesshëm në të gjitha fushat shoqërore, që nga jeta ekonomike, shëndetësore, shkencore, arsimore e kulturore.

Për BESËN mbrojtja dhe përfaqësimi i interesit shqiptar, i shqiptarit ordiner të Maqedonisë, është detyrimi më i lartë patriotik. Për neve pajisja me ujë e vendbanimeve shqiptare është po aq patriotike sa edhe zyrtarizmi i gjuhës shqipe me ligj.

Lajm: Meqë shpesh jeni akuzuar për religjiozë dhe, madje otomanistë, çfarë paraqet feja dhe Perandoria Osmane për BESËN?

Kasami: Po ia filloj nga religjioni. Në BESË asnjëherë nuk është diskutuar dhe nuk do të diskutohet për tema që kanë të bëjnë me religjionin e anëtarëve të saj. Kjo është zgjedhje e lirë e secilit. Te ne mund të vijnë edhe ateistët, edhe agnostikët, edhe myslimanët, edhe katolikët edhe ortodoksët shqiptarë, por edhe besimtarët praktikantë. Mjafton të dakordohen me programin e BESËS dhe me Statutin e saj. Ajo që e dallon BESËN është se ne nuk i diskriminojmë dhe paragjykojmë njerëzit mbi këtë bazë. Te ne nuk përjashtohet një vajzë me mbulesë të mbajë konferencë për shtyp, derisa ajo flet për interesa të BESËS, siç nuk është problem që një ateist të flasë për probleme të kulturës shqiptare. Bindjet fetare të askujt nuk janë temë në Lëvizje. Kjo kujtojmë se është vlera e shtuar e shoqërisë sonë, sepse deri tash ka pasur një mal paragjykimesh dhe kufizimesh në këtë drejtim. Aq më shumë që ne mendojmë se çadra e shqiptarisë ka vend për të gjithë.

Ndërkaq sa i takon Perandorisë Osmane, mendojmë se ajo është çështje për historianët dhe, ashtu si për secilën perandori tjetër, edhe për të mund të flitet me nota pozitive ose negative. Ne nuk parapëlqejmë të bëjmë shkencë, sepse bëjmë politikë, siç nuk ia kufizojmë askujt në BESË ta ketë mendimin e tij për Perandorinë Osmane, por edhe për Bizantin etj.

Lajm: E nëse ju pyesim se cili është qëndrimi juaj për Skënderbeun?

Kasami:
Skënderbeu është hero kombëtar i shqiptarëve dhe në këtë nuk ka asnjë kontest. Shkencëtarët mund të merren me analiza, por për neve si parti politike Skënderbeu është simbol i kombit shqiptar. Natyrisht, nuk i parapëlqejmë interpretimet ideologjike dhe religjioze që ia bëjnë figurës së tij, por kjo është më në rrafsh tjetër dhe për neve – si politikanë – nuk është e rëndësishme.

Lajm: Qeveria e Shqipërisë së shpejti do të realizojë mbledhje të përbashkët me qeverinë e Serbisë. Qeveria e Maqedonisë ende nuk ka realizuar mbledhjet aq shumë të paralajmëruara me qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë. Si e komentoni këtë? A po ja tejkalon Maqedonia edhe Serbisë me averzionin e vet ndaj shqiptarëve?

Kasami: E vërteta e këtyre marrëdhënieve është se çifti VMRO-BDI ka ndërtuar një Maqedoni që është e kthyer kah Serbia dhe që ia ka kthyer shpinën Shqipërisë, Kosovës, Bullgarisë e Kroacisë. Për BESËN është strategji shtetërore që Maqedonia të jetë e kthyer kah Shqipëria e Kosova, ndërsa me Serbinë të ketë marrëdhënie reciprociteti. Dhe, sa më parë që e kupton këtë Maqedonia, kjo është më e mirë për shëndetin e saj. Sepse nuk mund të funksionojë një shtet ku njëra etni synon diçka tjetër e tjetrës ia imponon vullnetin e saj. Gruevski mund ta marrë Ahmetin të udhëtojnë në segmentin Beograd-Shkup-Athinë, por shqiptarët janë të përkushtuar për trekëndëshin Shkup-Tiranë-Prishtinë.

Lajm: Çka ndodhi me Kongresin e parë të Lëvizjes BESA. Duhej të mbahej që moti?

Kasami: Kongresi i Lëvizjes BESA mund të mbahet në vjeshtë nëse në dhjetor nuk ka zgjedhje. Ne jemi në fund të procesit të anëtarësimeve për këtë fazë dhe pastaj do të fillojnë zgjedhjet e brendshme. Ato duhet të përfundojnë brenda një a dy muajve dhe, varësisht nga data e zgjedhjeve, do të caktohet edhe kongresi. Ne kishim përcaktuar dinamikë krejt tjetër qysh nga themelimi, por zhvillimet që rrodhën nga fillimi i vitit 2015, na e devijuan planin dhe tani jemi këtu ku jemi. Megjithatë, edhe kjo e ka pasur një të mirë: unë lirisht mund t’ju them se BESA mund të jetë partia mbase e vetme shqiptare që e ka mbuluar gjithë territorin shqiptar në Maqedoni dhe atë jo vetëm me degë, por edhe me nëndegë. Ne kemi rreth 5000 mijë aktivistë, pra jo anëtarë – sepse ata janë dhjetëra mijë, por aktivistë që janë ushtarë të BESËS në terren për ta përhapur mesazhin e një fuqie të re politike, që sjell një vizion tjetër të politikëbërjes, të moralit politik, të artikulimit dhe të perceptimit të politikës.

Lajm: A do të kandidojë Bilall Kasami për kryetar të Lëvizjes Besa në Kongres? A pritni të keni kundërkandidatë?

Kasami: Hëpërhë nuk kam menduar për këtë, por – duke qenë një ushtar i BESËS – unë kam pranuar të jem aty ku më zgjedh organizata. Nëse propozohem dhe i fitoj votat e mjaftueshme që përsëri t’i prijë BESËS, unë nuk i ik përgjegjësisë. Por, edhe nëse nuk ndodhë kjo, unë jam aty në çfarëdo pozite që të më zgjedhë organizata. Ne jemi parti institucionale ku që nga anëtari i nëndegës e deri të kryetari i nënshtrohen Statutit të organizatës dhe ku, me faktin që pranon të jesh pjesë e BESËS, zgjedhjen se ku do të jesh nuk e bën dëshira ose vullneti individual, por vendimi kolektiv.

Lajm: Ju keni një platformë politike, e cila duket optimale sa i përket të drejtave të shqiptarëve në Maqedooni. Mirëpo shqiptarët deri tani nuk kanë pasur problem me platformat e partive politike që i kanë votuar deri tani, por me paaftësinë e partive që t’i realizojnë ato platforma. Me çka garanton BESA se nuk do të përsërisë gabimet e partive të deritanishme?

Kasami: Meqë nuk ekziston një aparat që mund ta matë sinqeritetin e premtimit tonë, ne do të duhet të shërbehemi me fjalët që mund t’i themi. Por, duke u nisur nga emblema jonë – BESA SHQIPTARE – ne dëshirojmë që parimin primordial shqiptar, ku fjala e dhënë është në trajtë të fjalës së shenjtë dhe e cila nuk mund të thyhet edhe me çmimin e jetës, të jetë parimi jonë në qeverisje. Zaten, ne kështu e perceptojmë politikën dhe kështu e trupëzojmë edhe shqiptarinë. Për neve shqiptar i mirë është ai që e mban fjalën, që e mban premtimin, që e do kombin e tij, vendin e tij dhe që përpiqet për mirëqenien e popullit të tij. Secili shqiptar që trumbeton patriotizëm, ndërsa abuzon me pushtetin, bëhet peng i korrupsionit dhe skandaleve të tjera, madje akuzon të tjerët se janë antishqiptarë, për neve nuk është as shqiptar, por as njeri. Kjo është vlera e re që e sjellim ne.

Lajm: Kohën e fundit vërehet aktivitet i shtuar i PSP-së në procedimin e lëndëve, kurse në të ardhmen paralajmërohet intensifikim edhe më i madh i këtyre aktiviteteve. Nga ana tjetër në Maqedoni është krijuar një traditë që kur zbulohen skandale politike ose koruptive, ndodhin edhe kriza të sigurisë, siç ishte rasti i Kumanovës. Cili është mendimi juaj, a mund të përsëritet sivjet ndonjë rast i tillë, për të defokusuar vëmendjen e opinionit edhe nga puna e PSP-së edhe nga kriza politike që ka gjasë të përfundojë me prolongim të sërishëm të zgjedhjeve?

Kasami: Nga ky pushtet gjithçka pritet. Ata nuk përtojnë të inskenojnë gjithçka vetëm që ta shpëtojnë lëkurën e tyre. Ndonëse mendoj se bashkësia ndërkombëtare ua ka shtrënguar mjaft mundësitë që të bëjnë veprime të tilla, duke pasur parasysh se për ata politika është jetë ose burg, mund të pritet gjithçka. Megjithatë, uroj që të mos të kemi asgjë të tillë, sepse – për fat të keq – në të gjitha ato skenarë të dëmtuarit janë shqiptarët./infoshqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu