Fjona Parllaku, e shpallur si maturantja më e mirë mes rreth 40.000 maturantëve në Shqipëri për vitin 2016, është shpallur fituese në 10 përzgjedhjet e saj në formularin A2.
Por, mes dhjetë preferencave asaj i është dashur të bëj vetëm një zgjedhje përfundimtare, ku edhe do të studiojë.
Kjo javë ka qenë jashtëzakonisht sfiduese për Fjonën, pasi i është dashur të marrë një vendim shumë të vështirë në lidhje me profesionin e saj të ardhshëm, shkruan Albeu.com.
Kështu, në ditën e fundit të afatit të parë të regjistrimeve në universitete, Fjona Parllaku ka marrë vendimin e saj.
Ajo ka përzgjedhur Universitetin Epoka në Tiranë, ku do të studiojë me bursë të plotë përgjatë gjithë kohëzgjatjes së studimeve në Programin e Inxhinierisë Elektronike dhe Komunikimit Dixhital.
Fjona është diplomuar këtë vit nga Kolegji “Turgut Özal” Tiranë, dhe është shpallur si maturantja më e mirë në Shqipëri për vitin 2016.
Gjatë arsimimit të saj, Fjona ka fituar shumë çmime në olimpiada dhe konkurse të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërmjet të cilave, Vendin e Parë në Olimpiadën Kombëtare të Matematikës 2016, Medaljen e Artë në ASEF (Panairi i Shkencës dhe Inxhinierisë në Shqipëri 2016, Medaljen e Bronzit në Olimpiadën e Katërt Shkencore Epoka, etj.
Nga statistikat e publikuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në Librin e Transparencës, vërehet se Universiteti Epoka është ndër më të përzgjedhurit në degët që ofron, sidomos mes studentëve me mesatare të lartë nga shkolla e mesme.
Sipas rankimit të fundit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2016 të grupit më të madh publik kërkimor në Spanjë, CSIC (Consejo Superior de Investigaciones Cientificas), Universiteti Epoka, i cili është vazhdimësi e kolegjeve turke në Shqipëri, për të disatën herë është renditur i pari në Shqipëri dhe i 4979-ti në botë, i pasuar nga Universiteti i Tiranës, që renditet i dyti në Shqipëri dhe 6262-i në botë. /albeu.com/