Ja kush duhet të japë llogari për dhunën ndaj të burgosurëve të “Grupit të Kumanovës”

“Për dhunën e pandalur që po zhvillohet ndaj të burgosurve të Grupit të Kumanovës duhet të ndërmerren masa urgjente ndaj gardianëve të burgjeve, kryeshefave të ndërrimit, drejtorëve dhe zv/drejtorëve të burgjeve, drejtorisë për ekzekutimin e sanksioneve penale si dhe Ministrit të Drejtësisë”, thekson për INA, profesori universitar i kriminologjisë dhe penologjisë, Mitasin Beqiri. Ai thotë se avokatët duhet të adresojnë ankesat dhe shqetësimet e tyre tek këto institucione që janë përgjegjëse dhe që po lejojnë apo bashkëasistojnë në dhunën brutale, që nuk po ndalet, por po vazhdon.

“Shkresat nga gjykata i marrin drejtoritë e burgjeve dhe këto drejtori kërkojnë asistim. Por ku janë gardianët e burgjeve, që duhet të jenë të pranishëm gjatë transportit të të burgosurëve. Ata duhet të jenë aty dhe jo njësitet speciale. Ata kanë përgjegjësi të mbrojnë të paraburgosurin. Pse në gjykatë brenda nuk duken njësitet speciale, por vetëm gardianët. Këtu duhet të shihet qartë se çfarë brutaliteti dhe shkeljesh ligjore po ndodhin”, thekson dekani i fakultetit të kriminologjisë në Universitetin FON në Shkup. Sipas tij, kjo tregon se autoritetet e burgjeve, dhe ministria e drejtësisë që i di këto gjëra, po heshtin dhe lejojnë të ushtrohet dhuna.

Ai thotë se kjo nuk duhet të tolerohet dhe të informohen në detaje gjatë procesit gjyqësor gjykatësi i procedurës paraprake, kryetari i gjykatës dhe prokuroria.

“Më vjen keq se kemi të bëjmë me një shtet ku nuk respektohen të drejtat e njeriut dhe të drejtat e të burgosurëve, apo personave të privuar nga liria. Andaj duhet reforma rrënjësore dhe mentalitet i ndryshuar dhe kjo sa më shpejt duhet të ndodhë”, thekson për INA, profesori universitar Mitasin Beqiri.

Këto shqetësime vijnë pas shtimit të vazhdueshëm të dhunës ndaj të burgosurëve të grupit të Kumanovës nga ana e njësiteve speciale, të cilat ushtrojnë dhunë gjatë transportit të tyre nga burgjet drejt gjykatave./infoshqip


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu