Kandidati për polic: Polic bëhesh “me lidhje të forta” (Video)

Punësimet në institucionet e shtetit vazhdojnë të jenë peng i lidhjeve dhe intervenimeve partiake. Kjo bindje mbizotëron edhe tek kandidatët e rinj për policë, të cilët edhe pse bëjnë testimet e rënda fizike për t’u pranuar në konkursin e fundit, janë skeptik se do të mund të pranohen në punë pa pasur lidhje të forta në njërën nga partitë në pushtet. Kandidati Mevludin Saiti, thotë se ka dëshirë të bëhet polic pasi tre muaj ka kaluar edhe në ushtri, por vlerëson se për t’u pranuar duhet të kesh lidhje partiake.

“Mendimin për me më pranu, nuk mendoj se më pranojnë, se duhet me pasë shumë lidhje të fortë për me të pranuar tash, pa lidhje nuk munden me të pranu shumë zor është me të pranuar, vetëm nëse krejt i kalon, krejt ushtrimet i bën”, thotë kandidati për polic, Mevludin Saiti.

Ndërsa, kandidatja tjetër, Emilija Zdravkovska nënvizon se ka dëshirë të punësohet në polici edhe pse i di sfidat që e presin.

“Jam e gatshme për çfarëdo sfide, gjithsesi bëhet fjalë por shtetin tonë, do të përpiqem të hyj në polici dhe vendosa për shkak se unë dëshiroj këtë punë”, thotë Emilija Zdravkovska.
MPB ka shpallur konkurs për pranimin e 600 policëve të rinj. Jordan Llamanovski nga MPB thotë se gjithsej janë paraqitur 3972 kandidatë. 3.063 janë maqedonas, prej të cilëve 768 vajza, 617 shqiptarë nga të cilët 23 vajza, 120 turq nga të cilët 9 vajza, 49 kandidatë boshnjakë dhe poaq serbë, 36 rom, 22 vlleh, 11 maqedonas musliman dhe një kroat. Kontrollet e kandidatëve kryhen në kazermat Gjorçe Petrov, Ilinden dhe në qendrën për trajnime Idrizovë.

“Sot jemi në kazermën Gjorçe Petrov ku kanë filluar kontrollet e përgatitjeve fizike të njërës prej grupeve të kandidatëve të cilët kanë aplikuar për vend pune në MPB. Procedurën për selektim të kandidatëve e zbaton komisoni i formuar nga ana e ministrit të punëve të punëve të brendshme. Procedura zbatohet në më tepër faza”, tha Jordan Llamanovski nga MPB.

Faza e parë përfshin kontrollet e aftësive motorike, ndërsa kriteret janë caktuar në bashkëpunim me fakultetin për edukatë fizike. Faza e dytë, kontrollin e aftësive emocionale dhe intelektuale të secilit kandidat, ndërsa faza e tretë përfshin testimin e kandidatëve, si dhe testim me shkrim i cili përbëhet nga testim i përgjithshëm arsimor. Për të gjithë kandidatët që do ta kalojnë këto faza selektuese do të zhvillohet intervistë. Lista përfundimtare e atyre që do të pranohen pritet të dalë në fillim të Tetorit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu