Karavijin, universiteti më i vjetër në botë

Universiteti Karavijin në Marok, është universiteti më i vjetër në botë. Për më shumë se një mijë vjet ai vazhdon të japë arsim pa ndalim, raporton Anadolu Agency (AA).

Universiteti i themeluar nga Fatima el-Fihri, një person i dashuruar pas dijes, është hapur në vitin 859, në një nga vendbanimet e kryeqytetit të vjetër të Marokut, Fes, i cili quhet Medine.

Universiteti i ndërtuar në kohën e Dinastisë Fatimi, u themelua nga Fatima el-Fihri, vajza e Ebu Abdullah Muhammed Bin Abdullah, e cila emigroi në qytetin Fes bashkë me familjen e saj, duke u vendosur në lagjen Karavijin.

Për shkak të nevojës së banorëve të lagjes, vendi kishte nevojë për një xhami më të madhe dhe si rrjedhojë lindi mendimi i ndërtimit të Xhamisë Karavijin, e cila më pas do të kthehej në një qendër arsimimi. Me kthimin e saj në një qendër arsimore, në të nisën të jepeshin mësime si, dije mbi fenë islame dhe dije mbi shkencat ekzakte.

Një sistem arsimor që ka më shumë se një mijë vite në funksionim
Universiteti i cili është pjesë e listës së UNESCO-s për Trashëgiminë Botërore, ka në përbërje sistemin më të vjetër të arsimit dhe me një metodologji tipike. Edhe pse mësimdhënia kohë pas kohe ka ndryshuar, universiteti që prej themelimit nuk i ka mbyllur asnjëherë dyert për studentët.

Arsimi në këtë universitet bëhet sipas sistemit të vjetër. Në një pjesë të xhamisë gjenden klasa me rreth 20 nxënës secila, në mesin e të cilëve ka dhe femra. Studentët këtu marrin mësim të ulur në formë rrethore. Mësuesi i cili hipën në një pjesë të ngritur, iu drejtohet studentëve të ulur në formën e harkut, duke ju dhënë atyre mësime dhe leksione në fushën e dijeve Islame dhe shumë fusha të tjera.

Omer el-Drisi, një mësues i lëndës së Hadithit në këtë universitet, shpjegon për AA mbi metodën e dhënies së mësimit në fushën e hadithit.

Kushti për tu regjistruar në këtë universitet është të jesh hafiz i Kur’an-it
Në një deklaratë për AA, Ejup El-Ijashi, student në këtë universitet, thotë se për tu regjistruar në të kushti kryesor është të jesh hafiz (të dish përmendesh Kur’an-in), ndërsa vë në dukje se krahas kësaj kërkohen kushte si njohja e gjuhës arabe, dijeve themelore të Islamit, informacione mbi tekste të vjetra në lidhje me këtë gjë, etj.

Duke vënë në dukje se të jesh student në këtë universitet është një prestigj shumë i madh, Ijash në vijim të fjalës së tij shton: “Fitova të drejtën për të studiuar në shkolla të tjera, por synimi im ishte të studioja në universitetin Karavijin. Për këtë arsye mësova Kur’an-in përmendësh si dhe dije të tjera shtesë për fenë islame, në mënyrë që të përgatitesha për provimin e pranimit në këtë universitet. Ajo që shikoni në këtë universitet është harmonizimi i sistemit të hershëm arsimor, me atë modern. Mendoj që përmes kësaj metode do të arsimohemi më mirë”.

Universiteti më i vjetër në botë
Universiteti është i klasifikuar në librin botëror të rekordeve si universiteti më i vjetër në botë. Krahas mësimeve fetare në këtë universitet janë dhënë që në fillimet e tij, mësime të astronomisë, mjekësisë, shkencave ekzakte, etj.

Në universitetin e ndërtuar me një arkitekturë tipike marokene, kanë mbaruar studimet ose kanë shërbyer si mësues dhe pedagogë, shumë figura të njohura të botës islame si, Fatima el-Fihri, Ibn Haldun, Ibn Ruzhd, Ibn Baxhe, Ibn Mejmun, Esh-Sherif el-Idrisi, Ibn Hazm, Abduselam Bin Meshish, etj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu