Kasami i bën thirrje Zaevit: “Respekto marrëveshjen për letërnjoftimet, të shtohet përkatësia etnike”

“Mosmbajtja e premtimeve të kësaj Qeverie është bërë përditshmëri. Por, fatkeqësisht kryeministri Zoran Zaev tani po shkel edhe marrëveshjet e arritura gjatë ndryshimeve kushtetuese”.

Kështu dje ka akuzuar kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, i cili ka përmendur se para disa ditëve, në Parlament, Qeveria e udhëhequr nga Zoran Zaev ka dorëzuar iniciativë për ndryshim të ligjit të dokumenteve personale, respektivisht të ligjit për letërnjoftime, shkruan gazeta KOHA.

“Ne, një kohë më të gjatë kemi pasur dyshime se Zoran Zaev nuk e mban fjalën e dhënë por tash vërtetohet se ai mashtron shqiptarët, sidomos kur e shohim se në procedurë parlamentare ka futur një nga ligjet që duhet të pësojnë ndryshime si ai për letërnjoftime dhe në propozimin e njëjtë kjo qeveri nuk parashikon vendosjen e grafës së përkatësisë etnike në përputhje me marrëveshjen e arritur në mes Lëvizjes BESA dhe Qeverisë së udhëhequr nga Zoran Zaev. Ne, edhe në kohën kur jemi marrë vesh kemi patur dyshimet tona ndaj jo konzistencës politike të Zoran Zaevit, prandaj e detyruam që marrëveshjen që e arritëm t’a publikojë zyrtarisht si qëndrim të Qeverisë të tij në faqen zyrtare të qeverisë në datë 11.01.2019”, tha para gazetarëve Kasami.

Ky veprim i kryeministrit dhe qeverisë, ka vijuar më tej ai, dëshmon edhe njëherë se LSDM-ja prej shqiptarëve i kërkon vetëm votat, ndërsa nuk shpreh gatishmëri dhe vullnet të plotëson kërkesat legjitime të shqiptarëve.

“Ne i bëjmë thirrje edhe njëherë kryeministrit Zaev që të tërheqë nga procedura parlamentare ligjin për letërnjoftimet, të korrigjojë të njëjtin konform marrëveshjes së arritur gjatë ndryshimeve kushtetuese dhe të dërgon si propozim të qeverisë edhe plotësimin me grafën e përkatësisë etnike. Ne nuk kërkojmë as më shumë e as më pak nga ajo që jemi marrë vesh me Qeverinë dhe që Qeveria e ka publikuar në uebfaqen e saj zyrtare, dhe kjo është dokument dhe zotim publik që duhet përmbushur”, apeloi Kasami. Nëse edhe përkundër këtij apeli nuk ka reflektim nga ana e Qeverisë, Lëvizja BESA, siç u shpreh Kasami,do shfrytëzojë të gjitha mekanizmat institucionalë për të detyruar këtë qeveri të përmbushë në tërësi marrëveshjen e ndryshimeve kushtetuese.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu