Lëvizja BESA është e gatshme të bashkëpunojë me çdo parti apo grupim politik në opozitën shqiptare me të cilën do të kishin një synim të përbashkët, e që më në fund të ketë një rotacion pushteti në kampusin politik shqiptar, transmeton InfoShqip.
“Të gjitha partitë politike me të cilat mund të ulemi, të arrijmë marrëveshje, jemi të gatshëm të bisedojmë për formimin e një fronti të gjerë opozitar“, tha sot kryetari i Lëvizjes BESA, Bilal Kasami në përgjigje të pyetjes së një gazetari.
Ai në një konferencë për media tha se Lëvizja Besa thekson se Raporti i KE-së për vitin 2022 është një raport serioz që, siç tha ai, flet për mungesën e kapaciteteve të Qeverisë për të zbatuar rekomandimet e Komisionit Evropian për anëtarësimin e vendit në BE.
“I vetmi klaster që renditet më lart është ai i politikës së jashtme dhe sigurisë, i cili si i tillë është i balancuar me politikën e BE-së dhe NATO-s, ndërsa të gjitha grupimet e tjera bien në nivele. Madje rezultojnë edhe më të dobëta se raporti i mëparshëm i Komisionit. Stagnim i plotë i progresit në luftën kundër korrupsionit, nepotizmit, paaftësisë së përgjithshme të qeverisë për të menaxhuar në mënyrë transparente financat, si dhe pamundësisë për të tërhequr fonde evropiane dhe keqmenaxhimin e tyre, tani dhe në të kaluarën“, tha Kasami në selinë e partisë në Shkupi.
Në fushën e sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, Komisioni, siç tha, edhe pse thekson se shteti ka bërë progres në këtë drejtim, shpreh shqetësimin për kushtet dhe gjendjen e burgjeve, të cilat e konsideron tragjike. Sipas tij, “Qeveria është e paaftë të zhvillojë një strategji për reformat në media dhe përshtatjen e Kodit Zgjedhor në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare”– tha ai./InfoShqip.com










