KE-ja dhe Gjermania presin fillim sa më të shpejtë të negociatave me RMV-në dhe Shqipërinë

Komisioni Evropian pret me padurim mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur. Ky është pozicioni i qartë i KE-së, por Këshilli i BE-së është ai që duhet ta miratojë kornizën negociuese që e kemi paraqitur kohë më parë, tha zëdhënësja për zgjerim Anna Pisonero, pasi ministri i Jashtëm gjerman Heiko Masse porositi se nuk duhet që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të ndahen në procesin e negociatave me BE-në.

Zëdhënësja e zgjerimit, në brifingun e djeshëm të rregullt për gazetarë, siç raportoi MIA nga Brukseli, duke iu përgjigjur pyetjeve, përsëriti qëndrimin e Komisionit Evropian.

Pisonero shtoi se pritet nga presidenca portugeze të thërrasë konferencat për të dy vendet sa më shpejt të jetë e mundur.

Komisioni Evropian konsideron se të dy vendet janë të gatshme të fillojnë negociatat me BE menjëherë pasi vendet anëtare të japin dritën jeshile për miratimin e kornizës negociuese dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Lidhur me të njëjtën çështje, ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Bujar Osmani tha se, megjithëse KE-ja 11 herë me radhë rekomandon fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe se, edhe përkundër faktit se procesi i zgjerimit bazohet në meritat individuale të secilit vend, përvoja tregon se kur shtetet lëvizin së bashku në proces, sinergjia që krijohet është më e madhe se shuma e lëvizjeve në mënyrë individuale të shteteve.

Konsideroj se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur kushtet dhe duhet të fillojnë negociatat. Kjo do t’i japë shtysë të re perspektivës rajonale të rajonit dhe kështu t’u bashkohen Malit të Zi dhe Serbisë, të cilat tashmë kanë filluar negociatat. Nuk shohim arsye pse duhet të ketë ndarje, veçanërisht kur Maqedonia e Veriut ka përmbushur të gjitha kriteret – ka 40 për qind të akteve evropiane të përkthyera në legjislacionin e saj të brendshëm, 95 për qind ka harmonizuar politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së, i kemi arritur kriteret ekonomike dhe politike për anëtarësim, kështu që nuk shohim asnjë arsye pse Maqedonia e Veriut do të mbetej prapa në këtë proces”, tha Osmani.

Ai gjithashtu tha se mbështetja gjermane është e një domethënieje thelbësore për vendin dhe falënderoi Haiko Massin për angazhimin personal, këmbënguljen e kancelares Angela Merkel dhe qeverisë gjermane për suksesin e deritanishëm në rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut.

Mos suksessi i Këshillit të BE-së për formalizim të vendimit të vitit të kaluar mbetet sfida jonë e përbashkët për këtë vit. Samitet e qershorit të BE-së ofrojnë shans unik për të hedhur hapin e duhur. Operacionalizimin e vendimit në fushën e negociatave, përmes miratimit të kornizës negociuese dhe mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare si fillim zyrtar i negociatave. Ky hap do të dërgojë inkurajimin e nevojshëm për të gjithë rajonin dhe do të forcojë besueshmërinë e procesit të integrimit evropian. Veçanërisht më inkurajon fakti që brenda treshes së presidencës, Gjermania mban rolin e saj proaktiv në mbështetjen e presidencës portugeze, me qëllim që të sjellë vendimin e duhur që do të inkurajojë të gjithë rajonin dhe forcojë kredibilitetin evropian në tërësi”, theksoi Osmani.

Lidhur me ngërçin me Bullgarinë, Mass porositi se Gjermania ofron mbështetje përmes përvojave të tyre, por çështja mbetet për tu zgjidhur në nivel bilateral, ndërsa negociatat t’i udhëheqin historianët.

Për ne është vendimtare, ajo që ka të bëjë me negociatat midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Vitin e kaluar kemi pasur negociata intensive me partnerët tanë në Shkup dhe Sofje. Gjithashtu ofrojmë mbështetje të mëtejshme me përvojat tona nëse kjo dëshirohet nga ana e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Mbetet që këto çështje të zgjidhen në mënyrë bilaterale. Vetë ekspertët, historianët, duhet t’i udhëheqin në kuadër të komisioneve të tyre, pa presion nga jashtë”, theksoi Mass.

Shefi i diplomacisë Osmani, ndërkohë, tha se çelësi për zgjidhjen e çështjes me Bullgarinë është në Marrëveshjen e miqësisë, si një kornizë e saktë politike për zgjidhjen e çdo mosmarrëveshje.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu