Jakub Zakriyev, nipi i presidentit të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, ishte shtetas i Serbisë vetëm katër ditë.
Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se përse iu dha shtetësia dhe më pas iu hoq nipit të liderit të republikës ruse dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin.
Zakriyev ndodhet në listën e sanksioneve të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, për shkak të përfshirjes në institucionet ruse.
Nën sanksione nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian është edhe lideri i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, i cili prej vitesh përballet me akuza për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë rrëmbime, tortura, vrasje dhe përndjekje të komunitetit LGBT.
Vendimin për t’i dhënë shtetësinë nipit të tij e nënshkroi më 24 prill kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut.
“Kjo nuk mund të shpjegohet me politikë racionale”, thotë ish-diplomati serb, Sreqko Gjukiq.
“Është interes personal, shlyerje borxhi ndaj Rusisë dhe Kadirovit”, shton ai për Radion Evropa e Lirë.
Macut, katër ditë pas vendimit për dhënien e shtetësisë, nënshkroi edhe vendimin për shfuqizimin e saj.
Për veprimin e fundit, Qeveria serbe iu referua Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
Në këtë ligj thuhet se vendimi mund të shfuqizohet “për të eliminuar një rrezik të rëndë dhe të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e njerëzve, sigurinë publike, rendin dhe qetësinë publike, ose për të shmangur çrregullimet në ekonomi”.
Gjukiq vlerëson se Serbia e tërhoqi vendimin për shtetësinë për shkak të paralajmërimeve nga Bashkimi Evropian.
“Është e qartë se kërkohet që Serbia të ndërpresë praktikën e dhënies së shtetësive, në mënyrë që Bashkimi Evropian të mos vendosë masa të caktuara”, thotë ai.
Në BE nuk iu përgjigjën kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar vendimin për dhënien dhe më pas heqjen e shtetësisë së nipit të liderit çeçen.
Serbia, edhe në vitet e kaluara, ka dhënë shtetësi përmes një procedure të veçantë, sipas së cilës shtetasit e vendeve të tjera mund ta fitojnë atë nëse një gjë e tillë paraqet “interes për Serbinë”.
Më shumë se 150 rusë, pas pushtimit të Ukrainës, kanë marrë shtetësinë serbe.
Bashkimi Evropian, në raportin për vitin 2025, ka paralajmëruar Beogradin se kjo përbën rrezik potencial sigurie për BE-në, pasi shtetasit rusë, në këtë mënyrë, fitojnë të drejtën e udhëtimit pa viza në BE.
Edhe pse është kandidate për anëtarësim në BE, Serbia mban marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe nuk u është bashkuar sanksioneve kundër këtij vendi, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Kush është Jakub Zakriyev?
Ibrahim Zakriyev, i njohur edhe si Jakub, u bë një nga kryebashkiakët më të rinj në Rusi – në moshën 27-vjeçare.
Në vitin 2018, ai u emërua kryebashkiak i Groznit – kryeqytetit të Çeçenisë.
Në shkurt të vitit 2020, ai mori detyrën e shefit të administratës së presidentit dhe Qeverisë së Çeçenisë, dhe më pas u bë zëvendëskryeministër dhe ministër i Bujqësisë.
Zakriyev u emërua edhe drejtor i degës ruse të kompanisë franceze Danone, pasi Rusia e konfiskoi atë.
Menjëherë pas transferimit të pronësisë, Danone në Rusi u riemërua në shoqërinë aksionare H&N (Health & Nutrition).
Në mars të vitit 2024, Putin e anuloi nacionalizimin e Danone-s, ndërsa mediat ruse raportuan se ishte arritur marrëveshje për shitjen e saj te persona privatë.
Sipas raportimeve, pronësia duhej të ndahej 50:50 mes nipit të Kadyrovit dhe kompanisë Vamin nga Tatarstani.
Në maj të vitit 2024, shitja e degës ruse të Danone-s përfundoi dhe ajo i kaloi kompanisë Vamin.
Sipas një deklarate të vitit 2023 nga Departamenti amerikan i Shtetit, Zakriyev gjendet në listën e sanksioneve për shkak të lidhjeve me familjen e Ramzan Kadyrovit, si dhe për faktin se ka qenë “drejtues i degës ruse të një kompanie evropiane, pasi Federata Ruse i konfiskoi asetet e saj”.










