Trump: Iranin “do ta zhdukë nga faqja e dheut”

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar Iranin se “do ta zhdukë nga faqja e dheut” nëse i sulmon anijet amerikane.

SHBA-ja ka nisur të hënën operacionin për të ndihmuar qindra anije të ngujuara në Gji. Situata ka përshkallëzuar.

Teherani në anën tjetër është zotuar për të mbajtur të bllokuar Ngushticën e Hormuzit, që është rrugë kyçe për tregtinë botërore. Ndërkaq ushtria amerikane ka deklaruar se i ka shkatërruar gjashtë anije të vogla iraniane dhe ka paguar raketa e dronë nga Irani. Kjo u mohua nga Irani.

Më shumë se 800 anije dhe rreth 20 mijë pjesëtarë të ekuipazheve janë ngujuar në rajon.

Në një intervistë për “Fox News” të hënën, Trumpi i ka përshkruar përpjekjet e marinës amerikane si “një nga manovrat më të mrekullueshme ushtarake në histori” dhe ka pretenduar se negociatorët iranianë kanë qenë më jostabilë në bisedimet e fundit.

“I kemi pajisjet më të mira. Kemi staf gjithandej botës. I kemi tërë këto baza nëpër botë. Janë plot me pajisje. Mund t’i përdorim të gjitha, dhe do ta bëjmë, nëse na duhet”, ka shtuar ai.

Kërcënimet e Trumpit ndaj Iranit s’janë të reja. Në prill ai pati paralajmëruar për “vdekjen e një civilizimi të tërë” nëse Teherani nuk dëgjonte kërkesat e tij.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu