Këtë vit do të ndërtohen dy çerdhe në Gazi Babë por asnjëra prej tyre në fshatin Hasanbeg

Këtë vit do të ndërtohen dy çerdhe të reja në Komunën e Gazi Babës. Këtë e paralajmëroi vetë kryetari i kësaj Komune Boban Stefkovski, mirëpo asnjëra prej tyre në fshatin Hasanbeg.

“Njëra çerdhe do të jetë në Trubarevë dhe tjetra në vendbanimin në mes Maxharit dhe Kramnicës.

E çfarë bëhet me çerdhen në Hasanbeg? Për çerdhen në Hasanbeg dhe në Inxhikovë për momentin po përgatitet dokumentacioni i projekteve, që do të thotë se unë që në vitin e parë të mandatit kam filluar me dokumentacionin projektues, planin urbanistik për katër çerdhet që janë premtimi im dhe jam i bindur që deri në fund të mandatit do t’i realizojë”, tha Boban Stefkovski – kryetari i Gazi Babës.

Në këtë vendbanim banorët më shumë se një dekadë janë në pritje të ndërtimit të një çerdhe me paralele shqipe.

Banorët ankohen se në fshatin përkatës nuk punohet asgjë, thonë se është shumë e nevojshme ndërtimi i një çerdheje për fëmijë.

“Është premtuar 100 herë jo vetëm çerdhe por gjithçka dhe asgjë nuk po bëhet, nuk e di çka është problemi, kemi nevojë, e dimë sa banorë ka Hasanbegu. Kemi kërkuar, kemi bërë disa kërkesa por këtë duhet ta bëjnë institucionet e punës, përgjegjësit që i kemi përzgjedhur, duhet të punojnë”.

“Normal që ka, normal, por nuk ka kush të punojë e kush të investojë, të korruptuar me një fjalë, vetëm premtojnë e asgjë”

Prindërit, zgjidhjen për fëmijët e tyre e kërkojnë në çerdhet me të afërta me paralele të gjuhës maqedonase ose në çerdhet e qytetit.

Para zgjedhjeve në 2017 ish kryetari i komunës së Gazi Babës Boris Georgievski premtoi ndërtimin e dy çerdheve, në Stajkovcë dhe në Hasanbeg, dhe deri më tani është ndërtuar vetëm çerdhja në Stajkovcë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu