Pas njoftimit për kufizimin e trafikut gjatë sezonit veror, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përcaktuar një sërë kategori mjetesh të tonazhit të rëndë që nuk do të lejohen të lëvizin gjatë fundjavave.
Nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve me peshë mbi 7.5 ton dhe gjatësi mbi 12 metra.
Përjashtim nga ky rregull do të bëjnë ato mjete, që transportojnë mallra ushqimorë, për të evituar në këtë mënyrë dëmin që mund t’ju shkaktohet kompanive apo cenimin e sigurisë ushqimore. Pezullimi i qarkullimit të tyre do të jetë përgjatë periudhës 15 qershor-15 shtator shkruan SCAN.
Vendimi për pezullimin e lëvizjes së tyre do të jetë një urdhër i përbashkët i ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe atij të Brendshëm që do të përcaktojnë akset rrugore ku do të ketë kufizim qarkullimi.
Paraprakisht përfaqësuesit e Ministrisë së Infrastrukturës bëjnë me dije se bëhet fjalë për akses që lidhin zonat bregdetare, kryesisht në jug të vendit.










