KFOR ka njoftuar se është duke monitoruar nga afër situatën në tërë Kosovën, përfshirë këtu edhe në veri të vendit, pas situatës së tensionuar në ditët e fundit ku Njësia Speciale është vendosur në kufirin me Serbinë për të zbatuar reciprocitetin e targave.
Përmes një deklarate, KFOR tha se po monitoron nga afër situatën dhe mbetet i fokusuar në zbatimin e mandatit. Tutje thuhet se qëllim i KFOR është të sigurojë një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për gjitha komunitetet në Kosovë.
“KFOR po monitoron nga afër situatën në të gjithë Kosovën dhe mbetet i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – i cili rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”.
Në këtë deklaratë tutje thuhet se KFOR ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve në veri të vendit.
“KFOR-i ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në të gjithë Kosovën, përfshirë edhe Kosovën veriore”.
Sot gjatë ditës u raportua se KFOR do ndërhyjë për de-eskalimin e situatës në very, por që kryeministri Kurti mohoi të ketë informacione të tilla, derisa tha se çdo veprim do ndërmerret në pajtueshmëri të plotë me policinë që ndodhet atje.









