“Këta që duan të shkëmbejnë territore tallen me inteligjencën tonë”, tha Kim Mehmeti lidhur me idenë e presidentit Hashim Thaçi për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.
“E dini çfarë do të thotë të jesh president dhe të dalësh e të thuash që ne do ja marrim Serbisë Preshevën dhe s’do të japim asgjë. Vërtetë duhet të mendosh se të gjithë ata që të shohin atje janë disa injorantë që s’kanë lidhje si bëhen ato punë e këtë vërtet mund ta bëjë vetëm injoranti politik ose ai që s’ka ku shkon, është i kapur në të gjitha anët”.
Mehmeti tha se shqiptarët gjithmonë kanë dhënë diçka të vetën për të marrë diçka të vetën.
Mehmeti: Shqipëria mund të përballet me situata të rënda
Publicisti Kim Mehmeti në një intervistë për Rubikon të KTV-së tha se nëse vazhdon kësisoj copëzimi i Shqipërisë atëherë vendi mund të përballet me situata shumë më të rënda.
“Nëse nuk ndodh një ndryshim i ngutshëm mund të ndodhin edhe gjëra shumë të këqija atje”, tha ai.
“Nëse fillon ajo Shqipëria të copëzohet për interesa të ndryshme, nëse e ke një Shkodër që nuk e kontrollon, nëse e ke një Vlorë që ti nuk e di se kush e ka në dorë, nuk ka nevojë të ndodh ’97 sepse tash në kohën e internetit ndryshe ndodh 97-a. Ti nuk ke kurrfarë influence politike në Vlorë, i ke dy të fortit që çdo gjë kontrollojnë”.
Sipas Mehmetit, me PS-në në Shqipëri krimi e politika janë bashkë
Partia Demokratike e kishte partizuar shtetin shqiptar mirëpo, sipas publicistit Kim Mehmeti, tash Shqipërinë e ka kapur krimi.
“Edhe para kësaj kishte partizim të shtetit por nuk futej krimi në pushtet e ardhja e PS-së e bëri edhe këtë, e futi krimin. Sipas meje, deri sa ishte PD-ja ajo e partizonte, nëse je i PD-së i ke të gjitha, bëhesh ministër, doktor shkence e të gjitha i ke mirëpo kriminelin nuk e fuste në institucione që ai të drejtonte shtetin. Tash kjo u bë”, ka thënë Mehmeti në Rubikon.
“Nuk arrij dot ta kuptoj nëse në Shqipëri politika e ka krimin apo krimi politikën, nuk merren vesh, a e din pse? Sepse shkojnë bashkë”, përfundoi Mehmeti.
Mehmeti arsyeton pse politikanëve shqiptarë u pëlqen të jenë të përçarë
Politikanëve shqiptarë u konvenon të jenë të përçarë ngase kësisoj secili mund të jetë i pari në vendin e vetë.
Kjo filloj të na pëlqej edhe neve, tash mos t’i kritikojmë vetëm politikanët”, thotë ai.
“Edhe Kimit i pëlqen të jetë i pari a i dyti në një Maqedoni të mbyllur a mos të vijë në Kosovë se menjëherë bije në vendin e dhjetë dhe filloj të mbizotëroj ajo mendësi që e kishim edhe në kohën e komunizmit që çdo njëri, atë që e thonë edhe në humor, më mirë i pari i fshatit se sa i fundit i katundit”, ka thënë ai.
Mehmeti thotë se shqiptarët filluan të mbyllen nga njëri tjetri.
Mehmeti tha se edhe po të jepet si kusht nga Bashkimi Evropian se ofrojnë 1 deri 2 vite që bashkohen, shqiptarët do të kërkonin 20 vite.
“Se atëherë edhe emri i hajdutëve do të pakësohet, sepse atëherë do të jetë një president, 20 ministra ndërsa tash i ka 80 zv ministra. Tash e ke në Maqedoni një situatë krejt të mirë për politikanët sepse Maqedonia ua plotëson dëshirat partive por jo shqiptarëve”, ka thënë Mehmeti.
Sipas tij, nuk u plotësuan kushtet e shqiptarëve sepse gjithmonë ishte në pyetje interesi i partiakëve shqiptarë./KTV
Video:










