Klarenbek: Vetëm me bashkëpunim mund të krijojmë digë për migrimin ilegal

Sistemimi i plotë i forcave FRONTEKS në Maqedoninë e Veriut do të ndihmojë në mbrojtjen e kufirit nga migrimi ilegal në mënyrën më të mirë të mundshme, por gjithashtu do të rrisë edhe transferimin e njohurive me vendet tjera evropiane, shprehet i dërguari i posaçëm holandez për migrime, ambasadori Jost Klarenbek.

Klarenbeku, i cili në vend qëndroi në Konferencën dyditëshe ministrore për menaxhim të qëndrueshëm me migrimet në Ballkanin Perëndimor në organizim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Zyrës së Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit (IOM), konsideron se në fluksin e emigrantëve ilegalë, asnjë vend nuk mund të përballet vetë, por nevojitet bashkëpunim i ndërsjellë.

“Pavarësisht nëse jeni në BE ose jo, duhet të bashkëpunoni me fqinjët. Duhet bërë shumë, kjo është e vërteta dhe të gjitha vendet e rajonit do të mund të arrijnë rezultat vetëm nëse punojnë së bashku. Asnjë shtet nuk mund ta bëjë këtë vetë”, vlerëson Klarenbeku.

Sipas tij, Konferenca për menaxhim të qëndrueshëm me migrimet në rajonin e Shkupit u mbajt në kohën e vërtetë, duke marrë parasysh rritjen e numrit të emigrantëve ilegalë në periudhën e fundit dhe kjo paraqiste mundësi të mirë për ndarje të përvojave dhe përcaktim të mënyrave të ndihmës së ndërsjellë.

“Është e nevojshme që të gjitha vendet e rajonit të marrin përsipër përgjegjësi të plotë, na nevojitet bashkëpunim i plotë rajonal dhe rritje të njohurisë dhe kapaciteteve të të gjithëve në rajon, por po ashtu edhe të Bashkimit Evropian”, konsideron ambasadori.

Ai nuk pret rritje të fluksit të emigrantëve në periudhën e ardhshme, por siç shprehet, është më mirë të presim diçka dhe të forcojmë bashkëpunimin, në mënyrë që të jemi të sigurt se nëse ka fluks të rritur të emigrantëve, të mund të punojmë së bashku dhe ta zvogëlojmë atë.

“Nëse i shikoni arsyet për migrim ilegal ato janë shumë – luftë, përndjekje, ndryshime klimatike, perspektiva socio-ekonomike … Zakonisht kombinimi i të gjithë këtyre faktorëve i detyrojnë njerëzit që të shpërngulen. Prandaj, duhet të bashkëpunojmë në nivel ndërkombëtar në mënyrë që të jemi të sigurt se do t’i parandalojmë këto lëvizje”, potencoi ambasadori Klarenbeku në intervistën për MIA-n.

Ambasadori Klarenbek nga shtatori i vitit 2019 është i dërguar speciale i Holandës për migrime. Detyra e tij është të punojë me qeveritë, organizatat ndërkombëtare dhe shoqërinë civile për krijimin e partneriteteve me vendet e prejardhjes së emigrantëve dhe me shtetet nëpër të cilat ata kalojnë, me qëllim që të ndihmohet në arritjen e zgjidhjeve për sfidat me migrimin ilegal.

Para marrjes së detyrës i dërguar special për migrime, Klarenbeku nga shtatori i vitit 2018 deri në shtator të vitit 2019 ka qenë u.d. zëvendësdrejtor për BE-në në Ministrinë holandeze të Punëve të Jashtme dhe koordinator i strategjisë për migrime.

Karrierën e vet në MPJ të Holandës Klarenbeku e fillon në vitin 1993 si nëpunës për çështje bërthamore dhe mospërhapjen e armës bërthamore. Në shtator të vitit 1997 është emëruar atashe për media dhe kulturë në Londër, ndërsa nga shtatori i vitit 2000 edhe koordinator i lartë politik për zgjerimin e BE-së. Në të dyja detyrat mbetet deri në shtator të vitit 2003, kur është emëruar zëvendës ambasador holandez në Kroaci. Në shtator të vitit 2007 nga Zagreb karrierën diplomatike e vazhdon në Bruksel si këshilltarë për marrëdhënie të jashtme të BE-së. Në maj të vitit 2009 emërohet sekretar privat i princit Vilem Aleksander, detyrë që vazhdon ta ushtrojë edhe kur princi bëhet mbret i Holandës në prill të vitit 2013. Nga shtatori i vitit 2013 deri më shtator të vitit 2018 Klarenbeku ushtron detyrën e ambasadorit të Holandës në Itali.

Në vazhdim vijon edhe intervista integrale e ambasadorit Klarenbek për MIA-n. Z. Ambasador, Ju faleminderit që pranuat intervistën për MIA-n.

Në Shkup qëndroni për shkak të pjesëmarrjes në Konferencën ministrore për menaxhim të qëndrueshëm me migrimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Cili është qëllimi i kësaj Konference dhe çfarë u transmetuat pjesëmarrësve në tubimin?

Konferenca në Shkup i është kushtuar menaxhimit të qëndrueshëm të migrimeve dhe unë marr pjesë në të, meqë vendet e rajonit dhe të Bashkimit Evropiane dhe të gjitha shtetet tjera duhet të punojnë më për së afërmi dhe me qëllim që të krijojnë bashkërisht digë të mirë migrimin ilegal.

Shohim se shifrat rriten dhe nevojitet që të gjitha vendet e rajonit të marrin përsipër përgjegjësi të plotë, na nevojitet bashkëpunim i plotë rajonal dhe rritje të njohurisë dhe kapaciteteve të të gjithëve në rajon, por po ashtu edhe të Bashkimit Evropian. Prandaj jam unë këtë në mënyrë që t’i ndaj perspektivat tonë dhe të shikoj se si mund të ndihmojmë.

Muajve të fundit policitë në vend dhe në shtetet fqinje gjithnjë e më shumë arrestojnë grupe të emigrantëve. A është duke u aktivizuar “ruta ballkanike” e cila ishte shumë aktive në periudhën e viteve 2015-2016 gjatë kulmit të Luftës në Siri, kur nëpër rajon kaluan thuajse 900.000 emigrantë?

Besoj se është. Migrimi ilegal është në rritje në ruta të ndryshme, po edhe “rutën ballkanike” përfundimisht shënon rritje. Nëse i shikojmë të dhënat e FRONTEKS-it shifra e migrantëve që mbërrijnë është pak a shumë dyfish e rritur në krahasim me vitin e kaluar dhe kemi ardhur thuajse deri në nivelin e viteve 2015-2016. Prandaj, kjo konferencë mbahet në kohën e vërtetë.

Për dallim nga periudha 2015-2016 kur pjesa më e madhe e migrantëve ishin në Siri, në muajt e fundit ata në pjesën më të madhe janë nga Afganistani. A do të mund të prisnim valë të rritur të refugjatëve afganë në periudhën e ardhshme, duke marrë parasysh regjimin taliban në pushtet në Afganistan?

Duhet t’i shikojmë shifrat, ende shikojmë se ato janë flukse të përziera të emigrantëve. Ka shumë sirianë, por gjithashtu edhe afganë, pakistanezë , indianë, bangladeshanë dhe shumë të tjerë.

Po, ka shumë afganë, por ata nuk janë grupi dominues dhe nuk pres që së shpejti të bëhen dominues. Por, më mirë të presim diçka dhe prandaj duhet të forcojmë bashkëpunimin tonë, në mënyrë që të jemi të sigurt se nëse ka fluks të rritur, do të mund të punojmë së bashku dhe ta zvogëlojmë atë dhe të jemi të sigurt se do ta bëjmë digën më të mirë të mundshme për migrimin.

Është e dhënë interesante se emigrantët në Maqedoninë e Veriut në pjesën më të madhe hyjnë në territorin e BE-së, para së gjithash nga Greqia. Si e komentoni këtë?

Kjo është gjeografi dhe prandaj është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi. Bashkëpunimi në rajonin. Pavarësisht nëse jeni në BE ose jo, duhet doemos të bashkëpunoni me fqinjët. E di se bashkëpunimi policor mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë është rritur pas Marrëveshjes së vitit 2017. Duhet patjetër të bëhet shumë, kjo është e vërteta dhe të gjitha vendet e rajonit do të mund të arrijnë rezultat vetëm nëse punojnë së bashku. Asnjë shtet nuk mund ta bëjë këtë vetë.

Në kufirin tonë jugor janë sistemuar forcat e FRONTEKS-it, për çka muajin e kaluar Maqedonia e Veriut nënshkroi marrëveshje me BE-në, Si e vlerësoni suksesshmërinë e misionit të FRONTEKS-it në vend?

Së pari, mendoj se nënshkrimi i Marrëveshjes për FRONTEKS-in paraqet mbrojtje të madhe dhe ju përgëzoj për këtë. Mendoj se sistemimi i plotë i FRONTEKS-it në Maqedoninë e Veriut, para së gjithash do të ndihmojë në mbrojtjen e kufirit në mënyrën më të mirë të mundshme, por gjithashtu do të rrisë transferimin e njohurve, kapaciteteve, etj. mes Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera evropiane.

Krahas “rutës ballkanike”, gjatë vitit të kaluar, në vitet e Kovid-pandemisë, shënohet numër i madh i migrantëve dhe rutave të tjera, si “perëndimore mesdhetare“, „qendrore mesdhetare” etj. Me çfarë ka të bëjë kjo?

E vërtetë, një pjesë e kësaj është rezultat i pandemisë, e cila në esencë e ngriu lëvizshmërinë ndërkombëtare në shumë mënyra për thuajse dy vite. Pas kësaj, thjeshtë migrimi ilegal është rritur në mbarë botën në të gjitha rutat.

Nëse i shikoni arsyet për migrim ilegal ato janë shumë – luftë, përndjekje, ndryshime klimatike, perspektiva socio-ekonomike … Zakonisht kombinimi i të gjithë këtyre faktorëve i detyrojnë njerëzit që të shpërngulen. Në përputhje me mundësinë për kalim përmes disa rutave ka rritur edhe pse ka më shumë patrullime në një vend, njerëzit lëvizin në drejtim tjetër dhe prandaj, ne me të vërtetë duhet të bashkëpunojmë në nivel ndërkombëtar në mënyrë që të jemi të sigurt se do t’i parandalojmë këto lëvizje.

Sivjet kemi fluks të rritur të emigrantëve dhe refugjatëve në kufijtë lindor të BE-së, si rezultat i agresionit rus në Ukrainë. Sa është për momentin shifra e refugjatëve nga Ukrainë në BE?

Nuk kam shifër të saktë, meqë ata vijnë dhe shkojnë, por përafërsisht janë rreth gjashtë milionë në Bashkimin Evropian. Në Holandë kemi mbi 80.000 refugjatë ukrainas të cilët janë të regjistruar për momentin, por shifra e vërtetë e tyre është më e madhe, meqë disa janë akomoduar te familjarë dhe në akomodim joformal. Bëhet fjalë për grup të madh.

Duke folur në mënyrë strikte për Holandën, ata nuk janë kërkues të azilit, për ta kemi kushte të posaçme dhe gjithsesi ata i shfrytëzojnë të gjitha kapacitetet, që në kushte të tjera do të ishin të lira për refugjatë të tjerë. Ata gjithsesi janë pjesë e barrës me të cilën duhet të përballemi, por ne jemi të lumtur që mund ta bëjmë këtë, t’u ndihmojmë miqve ukrainas në këto kohëra të vështira.

Kemi edhe raste të personave që arratisen nga Rusia në mënyrë që t’i shmangen mobilizimit në armatën ruse. Çfarë statusi kanë këta persona në BE?

Lidhur me këtë do t’ju jap përgjigje formale. Në Holandë dhe në Bashkimin Evropian çdo person ka të drejtë të kërkojë qasje në procedurën për azil, të kërkojë azil. Kjo nuk do të thotë se kanë të drejtën e azilit, kjo varet nga shërbimi për emigrantë, Ministria dhe në fund nga gjykata.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu