Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ngritur akuza ndaj Qeverisë së Kosovës, duke pretenduar se po pengohen projektet zhvillimore në kryeqytet. Ai i ka kërkuar Lëvizjes Vetëvendosje të sqarojë se kush ka dhënë urdhër për ndalimin e punimeve.
Në reagimin e tij, Rama i është referuar edhe një dokumenti të përfshirë në aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj Fatmir Shehollit, i akuzuar për spiunazh në favor të BIA-s serbe.
Në aktakuzë përshkruhet një plan për destabilizimin e Kosovës përmes radikalizmit fetar dhe përçarjes së shqiptarëve me diasporën. Dokumenti përmend gjithashtu synimin që, pas 20 vitesh, “Kosova të duket si Kandahari”, me qëllim ndryshimin e perceptimit ndërkombëtar ndaj Kosovës.
Rama ka deklaruar se pengesat nuk lidhen vetëm me sheshin “Xhorxh Bush”, por edhe me projektin “Ishulli Urban”, i cili, sipas tij, lidh rreth 30 mijë banorë të Arbërisë me qendrën e Prishtinës.
Ai ka thënë se punimet janë ndaluar më 20 maj 2026, ndërsa më 5 qershor është miratuar akti ligjor.
“Tregoni qytetarëve të Prishtinës, mbi çfarë baze i ndalët punimet? Me urdhër të kujt i vendosët shiritat?”, ka shkruar Rama.
Kryetari i Prishtinës ka bërë të ditur se Komuna do të vijojë me realizimin e projekteve, duke paralajmëruar se përgjegjësia për bllokimin e zhvillimit të kryeqytetit do të mbetet në histori.
“Për juve ka me tregu historia pse po e bllokoni zhvillimin e Kryeqytetit!”, ka shkruar Rama./21Media
Postimi i plotë:
“VETËVENDOSJE, TREGONI QYTETARËVE KUSH JU DHA URDHËR ME BLLOKU PRISHTINËN? KUSH PO DON ME E PA KOSOVËN SI “KANDAHAR”?
Përveç sheshit “Xhorxh Bush”, edhe “Ishulli Urban”, projekt që lidh 30,000 banorë të Arbërisë me qendrën, u bllokua nga kjo Qeveri!
20 MAJ 2026 – ndalohen punimet.
5 QERSHOR 2026 – miratohet akti ligjor.
Tregoni qytetarëve të Prishtinës, mbi çfarë baze i ndalët punimet? Me urdhër të kujt i vendosët shiritat? Kujt po i shërben kjo bllokadë? Kujt po i pengon zhvillimi i Kryeqytetit?
Dhe kush po don me e pa Kosovën si “Kandahar”?
Ne do të vazhdojmë me ndërtu.
Për juve ka me tregu historia pse po e bllokoni zhvillimin.”










