Kryediplomati turk kritikon vendimin e SHBA-ve mbi lartësitë e Golanit

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka kritikuar postimin e presidentit amerikan, Donald Trump, mbi lartësitë e pushtuara të Golanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në llogarinë e tij në twitter, ministri Çavuşoğlu tha se “integriteti territorial i shteteve është parim themelor i të drejtës ndërkombëtare”.

“Përpjekjet e SHBA-ve për të legjitimuar veprimet e Izraelit kundër të drejtës ndërkombëtare do të çojnë vetëm në më shumë dhunë dhe dhimbje në rajon. Turqia mbështet integritetin territorial të Sirisë”, theksoi Çavuşoğlu.

Më herët, Trump në twitter shkroi se ka ardhur koha që SHBA të njoh kontrollin e Izraelit mbi lartësitë e pushtuara të Golanit.

Në Kongresin në Kapitoll Hill po ndërtohet vullnet për ndryshim, ndërsa Departmenti i Shtetit ndryshoi terminologjinë e saj mbi territorin e kontestuar, duke iu referuar si “të kontrolluar nga Izraeli” në vend të përdorimit të mëparshëm “të pushtuar nga Izraeli”.

Izraeli kohë të gjatë ka kërkuar nga Washingtoni të njoh pretendimin mbi territorin që e pushtoi nga Siria gjatë luftës gjashtë ditore të vitit 1967.

Izraeli pushtoi rreth dy të tretat e luginave të gjera të Golanit si rezultat “de facto” të konfliktit dhe e aneksoi zyrtarisht në vitin 1981, një veprim i kundërshtuar njëzëri në atë kohë nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB).


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu