Kryeministrat e vendeve anëtare të Grupit të Vishegradit (V4) në takimin e Samitit të sotëm të vendeve mike të kohezionit në Pragë, paralajmëruan se janë të dëshpëruar nga Bashkimi Evropian, për shkak të asaj që ka dërguar sinjal negativ deri te Ballkani Perëndimor, me mosdhënien e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Ata vlerësuan se sinjali i gabuar mund ta ngadalësojë përshpejtimin e negociatave me Serbinë dhe Malin e Zi.
“Të gjithë jemi të dëshpëruar. Por, nëse nuk i filluam negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është me rëndësi që t’i përshpejtojmë negociatat me vendet me të cilat tashmë i kemi filluar negociatat. Këtë vendim mund ta kompensojmë ose zbusim ashtu që negociatave me Serbinë dhe Malin e Zi do t’iu japim shpejtësi ekstra të madhe. Të mos ketë probleme me zgjerimin e mëtutjeshëm”, deklaroi kryeministri hungarez Viktor Orban në konferencën për shtyp pas takimit hyrës të kryeministrave të V4.
Kryeministri sllovak Peter Pelegrini, njëjtë si edhe Orbani dhe kolegu i tij çek Andrej Babish, shprehu dëshpërim nga ajo që Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë nuk iu ishte dhënë as mundësia që të fillojnë negociatat dhe paralajmëroi se “tre vendet e vjetra anëtare të BE-së, të cilat më së shumti luftuan kundër zgjerimit të Ballkanit Perëndimor, i kanë dëmtuar qytetarët e rajonit”.
“Seriozisht frikohem se qytetarët e atyre vendeve ende do të kenë vullnet që t’i zbatojnë në vendet e tyre reformat e rënda për të cilat nevojitet hyrje në BE ose në fund do ta shohin perspektivën në bashkëpunim me Rusinë, Turqinë, Kinën ose me vendet arabe. Ai ishte gabim i madh thelbësor, sepse mendoj se zgjerimi është investim për BE-në. Ai është investim i mirë. Jo vetëm ekonomik, por edhe i sigurisë”, deklaroi Pelegrini.
Kryeministri i Sllovakisë paralajmëroi se një qasje e tillë drejtë Ballkanit Perëndimor mund ta kthejë BE-në në krizë të re emigruese.
“Unë jam shumë kureshtar dhe biseduam për këtë, se çfarë qëndrimi do të marrin vendet ballkanike nëse kërkojmë përsëri që ta mbyllim rrugën ballkanike. Ata bënë punë të mirë dhe ishin shumë kooperues, sepse iu ndihmojnë miqve të tyre të ardhshëm. Do të shohim se çka do të bëjnë tani. Mund të prisnim nga ata të thonë – ja, kujdesuni vetë për kufirin e juaj të jashtëm, anëtare të respektuara të Be-së, kur kështu silleni me ne”, paralajmëroi Pelegrini për pasojat e mundshme nga qorrsokaku me zgjerimin dhe sigurinë e BE-së.
Pelegrini theksoi se Sllovakia dhe vendet e tjera të V4 gjithnjë do të jenë në anën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, do t’i mbështesin dhe do t’i motivojnë që të japin gjithçka nga vetja që të hynë në strukturat evropiane.
Kryeministrat e Grupit të Vishegradit sot në Pragë debatojnë në kuadër të Grupacionit të miqve të kohezionit, i cili bashkon 17 vende nga Evropa e Mesme dhe Jugore, që t’i koordinojnë përpjekjet për lënien e mjeteve të mjaftueshme për kohezion dhe grante të cilët ndihmojnë në barazimin e dallimeve të pasurisë së rajoneve evropiane.
Kryeministrat e Polonisë, Mateush Moravjecki, të Çekisë, Andrej Babish, të Sllovakisë, Peter Pelegrini dhe të Hungarisë, Viktor Orban vlerësuan se propozimi i buxhetit evropian është i padrejtë sepse i ul fondet për politikën e kohezionit, që, sipas tyre, domethënë se anëtaret e pasura të BE-së do të jenë edhe më të pasura, ndërsa ato të varfrat edhe më të varfra, në vend se të ulen dallimet.










