Kufizohet çmimi i peletit në Maqedoni, 1 kg tani do të kushtojë 27 në vend të 55 denarë

Qeveria ka marrë vendim për ngrirjen e çmimit të peletit në 27 mijë denarë për ton, në përputhje me propozimin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave dhe Ministrisë së Ekonomisë.

Ky njoftim u bë i ditur sot nga ministri përgjegjës Kreshnik Bekteshi.

”Vendimi për çmimet e peletit dhe druve të zjarrit është marrë sipas analizave dhe propozimeve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Administrimit të Ujërave dhe Pyjeve Kombëtare. Në analizat për muajin tetor çmimi mesatar i importit për një ton pelet është 22.940 denarë, ndërsa çmimi që e kemi ngrirë është 27.000 denarë për ton”, tha Bekteshi në takimin e sotëm me gazetarë.

Çmimi i ngrirë, tha ai, përfshin kostot e TVSH-së dhe transportit, si dhe një marzh të caktuar për tregtarët.

Ka një diferencë prej më shumë se 4.000 denarë për ton, që konsideroj se është diferencë solide që tregtarët të mos jenë me humbje dhe të mbulohen të gjitha shpenzimet e përgjithshme”, saktëson Bekteshi.

Çmimi i shitjes për kilogram pelet në vend është rreth 55 denarë, ndërsa me ngrirje do të jetë 27 denarë për kilogram.

Nga ana tjetër, Shoqata Kombëtare e Prodhuesve dhe Distributorëve të Produkteve të Biomasës “Biomak Energy”, paralajmëron se nëse kufiri i çmimit mbetet, nga 1 dhjetori nuk do të ketë pelet në treg.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu