Kur Enver Hoxha e kërcënonte Jugosllavinë: Do të shpoj tunel dhe do ta thaj Ohrin

Marrëdhëniet e Enver Hoxhës me udhëheqjen jugosllave kanë qenë nga më të çuditshmet. Gjatë Luftës Nacional Çlirimtare, Partia Komuniste e Jugosllavisë dërgoi përfaqësuesit e saj në Shqipëri dhe tashmë është i njohur fakti se ata ndihmuan në krijimin e PKSH-së dhe në vendosjen në krye të saj Enver Hoxhën.

Këto marrëdhënie vazhduan edhe pas luftës e madje u shtrinë edhe në sektorin e ekonomisë. Por qëllimi i PKJ ishte që ta kthente ekonominë shqiptare në varësinë e saj e përfundimisht edhe Shqipërinë në një nga republikat e federatës jugosllave.
Prishja e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave u shoqërua edhe me arrestime, vrasje e pushkatime.

Këto marrëdhënie nuk njohën më përmirësim pasi përfundimisht Enver Hoxha u lidh me BRSS dhe vendosi kontakte të ngushta miqësore me Stalinin. Pas kësaj periudhe Jugosllavia u shpall armike e Shqipërisë.

Por vendet fqinjë kanë edhe lidhje territoriale mes tyre. Nëse ndarjet territoriale nuk administrohen si duhet, atëherë paraqesin probleme. Në verën e një prej viteve më të thata Jugosllavia vendosi të mbyllë portat e liqenit të Ohrit nga i cili furnizohet lumi Drin. Por përgjigja e udhëheqjes komuniste shqiptare ishte e menjëhershme.

“Nëse Tito mbyll portat e Ohrit për Drinin, atëherë unë do të shpoj një tunel në Qafëthanë dhe do ta thaj fare Ohrin”, ka kërcënuar Enver Hoxha.
Ky deklarim nuk ishte i rastësishëm.

Burime nga arkivat bëjnë me dije se për këtë qëllim u thirr një grup i specialistëve më të njohur në vend të kësaj fushe të cilëve iu kërkua një studim. Ky studim u përgatit në kohë rekord dhe iu paraqit diktatorit.

Sipas këtij studimi, nëse shpohej një tunel në pjesën fundore të Qafëthanës, atëherë ai mund të thante krejtësisht ujin e Ohrit. Uji do të drejtohej për në shtratin e lumit Shkumbin. Ky kërcënim iu bë me dije qeverisë së Beogradit dhe që nga ai moment Tito as që e çoi nëpër mend që të urdhëronte mbylljen e portave të Ohrit. /konica.al/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu