Kurti: Borell hoqi dorë nga propozimi i BE-së për marrëveshjen finale

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se propozimi i përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borell, që Kosova të mos shqiptojë gjoba për targat ilegale dhe Serbia të mos prodhojë tabela të reja KM ka qenë i papranueshëm për palën kosovare, pa qenë i shoqëruar me pjesën për t’u angazhuar për marrëveshjen finale për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, ashtu siç ishin ftuar me urgjencë nga BE në Bruksel.

“Propozimi ishte që ne ta pezullojmë vendimin për gjobitje dhe të vazhdojmë vetëm me qortimet, ndërkaq Serbia të ndalojë me prodhimin e targave ilegale. Por për neve natyrisht se është e papranueshme nëse kjo nuk shoqërohet për atë çfarë jemi ftuar, pra dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të plotë. E në propozimin që na e kanë sjellë neve për deklaratën e përbashkët z. Borell dhe Lajçak, madje ka qenë edhe afati i marsit të vitit 2023. Pra, ne që po vijmë këtu në Bruksel për t’u marrë vesh drejt një ecje të re për marrëveshje që arrihet para marsit 2023. Me keqardhje them se ndërmjetësit e BE-së, me këtë rast përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borell praktikisht hoqi dorë nga ky afati i marsit 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Po them me keqardhje sepse vet e kanë propozuar marsin e vitit 2023 dhe në anën tjetër gjithashtu propozimi është i BE-së”, ka theksuar Kurti.RTK


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu