Kurti nuk i shkon nesër Thaçit në takim, sipas Vetëvendosjes ‘tani nuk është koha e takimeve’

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherit anëtare e VV’së, ka konfirmuar se Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nesër nuk do të shkojë në takim tek Presidenti i vendit, Hashim Thaçi për të diskutuar rreth mandatarit për Qeverinë e re.

Kështu ka thënë ajo, pas dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të kërkesës për ‘veprimet’ e Thaçit të cilat VV po i quan anti-kushtetuese.

“Sapo e dërguam në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimit të presidentit të Kosovës, kur bëri thirrje për rezistencë qytetare, respektivisht për mos zbatim të vendimit të qeverisë në lidhje me masat emergjente të adresuara për menaxhimin e situatës me korona.

Ndonëse nuk është hera e parë që presidenti bën thirrje të tilla, nxit për mosrespektim të Kushtetutës dhe të ligjeve, kësaj radhe ai bëri një shkelje seriozë duke nxitur qytetarët për mos respektimin e aktit më të lartë juridik, andaj edhe është edhe detyrë dhe obligim i joni që si deputetë të Kuvendit që këtë ta adresojmë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ajo.

Nagavci ka konfirmuar se Kurti nuk do të takohet nesër me Presidentin, pasi që sipas saj, tash nuk është koha e takimeve.

“Tani nuk është koha e takimeve, është koha që ne të jemi maksimalisht të fokusuar në respektimin e vendimeve të qeverisë dhe të ekspertëve shëndetësore duke mbajtur distancë. Kjo do të thotë se presidenti ka obligim të respektojë kushtetutën që në raste të tilla të shpërndahet kuvendi, kështu që në këto ditë është e rëndësishme që qeveria të vazhdojë punën, ndërkaq kurdo që të tejkalohen kushtet të shpallë zgjedhjet”, ka deklaruar ajo.

Kujtojmë se Qeveria Kurti u shkarkua me 82 vota për më 25 mars, dhe pas kësaj, Presidenti Thaçi ka konfirmuar se do t’i fillojë konsultimet me partitë tjera, që të formohet një Qeveri gjithëpërfshirëse, pa shkuar në zgjedhje.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu