Ani pse sot kishte propozuar që të hiqej taksa 100 përqind për lëndët e para që vijnë nga Serbia, një gjë e tillë nuk do të ndodhë, pasi që sipas Kryeministrit Albin Kurti, partneri i tij në Qeveri, LDK, ende nuk është bindur rreth reciprocitetit. I pari i VV-së, siç duket nuk do t’i dëgjojë edhe një herë thirrjet e SHBA-së për heqje të plotë.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se nuk e ka bindur LDK-në që zëvendësimi gradual i taksës me reciprocitet, ëhstë mënyrë e drejtë.
“Sot, me datë 15 mars 2020, është dashur që të hiqet tarifa 100% në lëndën e parë që importohet nga Serbia. Kjo nuk do të ndodhë sepse qëndrimi im i shprehur më 26 shkurt 2020 ndërkohë nuk u bë vendim. Më vjen keq për këtë. Ende nuk kam arritur ta bind partnerin tonë të koalicionit qeverisës, LDK-në, për atë që vetë jam i bindur: zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitetin është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
“Dy kërkimfalje
Të nderuar qytetarë,
Sot, me datë 15 mars 2020, është dashur që të hiqet tarifa 100% në lëndën e parë që importohet nga Serbia. Kjo nuk do të ndodhë sepse qëndrimi im i shprehur më 26 shkurt 2020 ndërkohë nuk u bë vendim. Më vjen keq për këtë. Ende nuk kam arritur ta bind partnerin tonë të koalicionit qeverisës, LDK-në, për atë që vetë jam i bindur: zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitetin është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme.
Seanca e djeshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës që nisi pasdite e përfundoi pas mesnate, nuk respektoi urdhëresat për distancë fizike mbi një metër midis njerëzve në kohën e pandemisë së virusit Corona. Me zëvendës-kryeministrat e mi tërë kohën isha më afër se aq, e nganjëherë edhe përgjatë bisedave të ndryshme teksa diskutonim mbi buxhetin 2020 të cilin e aprovuam mbrëmë. Më vjen keq për këtë dhe ju kërkoj falje” ka shkruar Kurti.










