Kuvendi në krizën më të madhe të vendimmarrjes

Kuvendi i Kosovës aktualisht ndodhet në një prej periudhave më të vështira të funksionimit të tij, thonë analistët politik dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare në Prishtinë. Sipas tyre, janë vet deputetët e Kuvendit ata që e kanë rrezikuar jo vetëm funksionimin e Kuvendit, por gjithë demokracinë në vend.
Analisti i Institutit Demokratik të Kosovës, Albert Krasniqi, tha për Radion Evropa e Lirë se çështja e mosfunksionimit të Kuvendit, pos tjerash, është vërejtur te pamundësia për miratimin e ligjeve si dhe paaftësia e treguar rreth mbikëqyrjes së punës së ekzekutivit.

“Në këtë drejtim, mund të themi se është një punë e cila po bëhet pa produktivitet dhe kjo normalisht që e rrezikon funksionimin e Kuvendit”, tha Krasniqi.

Tutje, Krasniqi tha po ashtu se probleme të shumta janë duke e përcjellë punën e Kuvendit, duke u nisur nga mungesa e kuorumit për mbajtjen e seancave, pastaj mos prania e deputetëve në sallë dhe mospjesëmarrja në votim. Kurse, problem më vete, nënvizon ai, paraqet edhe neglizhenca e ministrave të qeverisë për pjesëmarrje në seancat e Kuvendit.

“Një mungesë e koordinimit ka qenë edhe vet brenda koalicionit PDK-LDK dhe minoriteteve. Shpeshherë kanë ardhur vendime të njëanshme, të pa dakorduara paraprakisht dhe të cilat me pas janë bllokuar dhe është dashur që të tërhiqen nga rendi i ditës, e lëre më të flasim për një koordinim më të madh ndërmjet partive parlamentare në Kuvend, gjë e cila nuk ka ekzistuar deri me tani”, tha Krasniqi.

Nga 138 ligjet e parapara të miratohen në këtë vit, Kuvendi ka miratuar vetëm 41 prej tyre.

Drejtoresha e organizatës Iniciativa Kosovare për Stabilitet, Florina Duli tha për Radion Evropa e Lirë se mosfunksionimi i Kuvendit e ka arritur kulminacionin. Ajo mendon se deputetët dhe vet Kuvendi si institucion, nuk janë duke kryer punën për çka janë të thirrur.

“Deputetët nuk kanë rrezikuar vetëm funksionimin e Kuvendit, por gjithë demokracinë e shtetit. Kuvendi dhe deputetët asnjëherë nuk kanë përfaqësuar interesin e qytetarëve, por vetëm interesat partiake. Do të thotë, llogaridhënia këtu dështon. Është çështja edhe te vet integriteti dhe te demokratizimi i brendshëm i partive politike, ku detyrohen deputetët të mos kenë integritet personal”, tha Duli.

Partitë politike opozitare kanë bllokuar disa herë seancat, duke përdorur dhe gazin lotsjellës dhe fishkëllima në sallën e seancave, në rastet e trajtimit të çështjeve si Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi apo çështje tjera që nuk janë mbështetur nga tabori opozitar.

Analisti politik, Imer Mushkolaj, tha se pavarësisht që partitë politike në pushtet kanë një shumicë në Kuvend, ato kanë mbetur pa legjitimitet dhe nuk po arrijnë që të shtyjnë përpara procese të rëndësishme. Ai thotë se mospuna e deputetëve në Kuvend tregon se sa seriozisht ata janë të interesuar për të ndryshuar gjendjen në të mirë të qytetarëve.

“Kuvendi i Kosovës është në një gjendje të vështirë dhe vazhdon ajo agonia e cila e ka përcjellë për muaj me radhë, pavarësisht përpjekjeve të herëpashershme që të kthehet në normalitet”, tha Mushkolaj.

Në punën e Kuvendit vlerësohet se nuk ishte vetëm ajo që u cilësua si ‘rezistenca politike e opozitës’, që mund të shihej si pengesë në punë apo vendimmarrje, pasi që koalicioni qeverisës, i cili në total ka më shumë se 80 vota, nuk po gjen zgjidhje dhe nuk po arrin të marrë vendime për çështje të rëndësishme.

Ky legjislativ, nuk arriti të përmbushë njërin prej kritereve të fundit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, e që ishte ratifikimi Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Ndërkaq, legjislativi nuk po arrin të fus fare në rend dite themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, sikurse që nuk po gjen konsensus politik rreth reformave të shumë përfolura kushtetuese. (REL)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu