“Kuvendi nuk është kundër askujt”, Hoti prononcohet para se LDK-ja të vendosë për fatin e Abdixhikut

Abdullah Hoti ka reaguar me një shkrim para mbajtjes së Kuvendit të LDK-së, ku 355 delegatët e partisë do të vendosin me votë nëse Lumir Abdixhiku do të vazhdojë ta udhëheqë partinë apo do të shkarkohet nga posti i kryetarit, përcjell TV21. Hoti thotë se Kuvendi nuk është kundër askujt dhe se partia do kthehet si forcë kryesore politike në Kosovë pas mbajtjes së Kuvendit.

“Sot, Kuvendi i jashtëzakonshëm të LDK-së është praktikisht ‘demokracia në veprim’ brenda partisë. Thirrja e këtij Kuvendi është dëshmi se LDK-ja ka mekanizmat e saj statutorë dhe demokratikë për të reflektuar, për t’u konsoliduar dhe për t’u bërë më e fortë.

Nga ky Kuvend do të dalim më të fortë për ta kthyer LDK-në si forcën kryesore politike në Kosovë. Vetëm një LDK e fortë mund t’i shërbejë Kosovës. Një LDK e dobët është në interes vetëm të kundërshtarëve politikë, që duan një skenë politike pa alternativë.

Kuvendi do të zhvillohet në frymë demokratike, të debatit të hapur e të respektit të secilit për secilin. Në këtë Kuvend fitues do të jetë LDK-ja. Sepse Kuvendi nuk është kundër askujt. Kuvendi është thirrur për të diskutuar dhe vendosur për të ardhmen e LDK-së.

Vullnetit të Kuvendit do t’i nënshtrohemi të gjithë, pa përjashtim. Nga Kuvendi do të dalim të bashkuar për të ardhmen e LDK-së dhe të Republikës së Kosovës. Zoti e bekoftë LDK-në dhe Republikën e Kosovës!”, ka shkruar Hoti.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu