Largimi i Serbisë nga KiE, Von Cramon: Blofi i radhës i Vuçiç-it, mos i besoni

Paralajmërimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se Serbia mund të largohet nga Këshilli i Evropës nëse Kosova anëtarësohet, raportuesja për Kosovën në Parlamentin e Evropës, Viola von Cramon, e ka cilësuar si blofin e radhës të tij, meqë në vlerësimin e saj është e sigurt që Serbia nuk largohet nga kjo organizëm ndërkombëtar.

“Deklarata nuk duhet t’i bëjë përshtypje askujt”, ka shkruar von Cramon në platformën sociale, X, duke iu referuar deklaratave të fundit të Vuçiç-it në raport me Këshillin e Evropës.

Anëtarët e Këshillit të Evropës, sipas eurodeputetes gjermane, do të vendosin vetë se kë do të pranojnë.

“Nuk e di se çfarë flet kundër anëtarësimit të Kosovës”, është shprehur ajo.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk e ka anashkaluar mundësinë që Serbia ta braktisë Këshillin e Evropës në rast se në të anëtarësohet Kosova.

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, në vlerësimin e Vuçiç-it, është de facto dëbimi i Serbisë.

I frustruar me mundësinë reale të inkuadrimit të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar, Vuçiç ka pretenduar se KiE është një mekanizëm që vendos “për asgjë”.

“Ju anëtarësoni Kosovën dhe pastaj do të shohim nëse Serbia dëshiron të qëndrojë apo jo në Këshillin e Evropës. Ndoshta ju pëlqen ta keni Prishtinën në Këshillin e Evropës më shumë sesa të keni Beogradin dhe Serbinë”, tha Vuçiç në një intervistë për “TV Prva”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu