Listat zgjedhore, ç’po ndodh në selitë e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së? (VIDEO)

Listë shumëngjyrëshe, me të rinj, intelektualë dhe shumë kandidatë të pavarur – kjo është strategjia e LSDM-së për zgjedhjet e 11 dhjetor. Lideri i LSDM-së nuk deshi t’i zbulojë emrat, para përfundimit të koordinimit të partisë. Takimet fillojnë sonte, kurse deri nesër në mbrëmje do sillen vendimet e para. Zyrtarisht listat e kandidatëve për deputetë do të promovohen të dielën gjatë kongresit të LSDM-së.

“Do të ketë mjaftë intelektualë, gjegjësisht kandidatë të pavarur të cilët do të jenë në listat tona. Lista e koalicionit do të përbëhet prej kandidatëve të pavarur, nga e majta dhe qendra. Në këto momente për ne është shumë pak e rëndësishme kush do të jetë bartës liste. Shumë më e rëndësishme është t’i mësojmë pritjet e qytetarëve dhe të sigurohemi kush prej individëve që do të jenë në listë, do të jetë zgjedhja më e mirë”, tha Zaev.

Kurse nga ana tjetër, partia më e madhe qeverisëse, VMRO-DPMNE akoma nuk i ka publikuar emrat e bartësve të listave, e as nuk kanë informuar se kur do të përpilohen dhe dorëzohen në KSHZ. Thonë se janë në koordinim me anëtarësinë dhe partnerët e koalicionit.

“VMRO-DPMNE si parti disa herë përmes kumtesave e ka informuar opinionin se është në fazën e përpilimit të listave zgjedhore. Listat do të dorëzohen në KSZH në afatin e parashikuar dhe besoni që në të njëjtat do të gjenden anëtarët më kredibil, simpatizues dhe aktivistë të partisë”, theksoi Dragan Danev, VMRO-DPMNE.

Ajo që tashmë dihet është se lideri i VMRO-DPMNE-së do të jetë bartës në një nga gjashtë njësitë zgjedhore. Me gjasë në Njësinë Zgjedhore numër 1. Ndërkaq edhe më tej nuk dihet nëse në listat e kësaj partie do të jenë politikanët kundër, njofton Tv21, transmeton Flaka.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu