Mali i Zi “kriminalizon” flamurin shqiptar në tubime, por jo vetëm

Nga 600.000 banorët sa ka Mali i Zi, më shumë se 30.000 janë shqiptarë, e megjithatë ky komunitet ndalohet nga përdorimi i simboleve të tyre etnike.

Përpjekja për të kriminalizuar festimet me flamur “kuqezi” është shënuar së fundmi me Cem të Malësisë ku u mbajt festivali popullor “Logu i Tërgajës”.

Prania e flamurit, siç mund të pritej në një festival të tillë, është dënuar nga Ministria e Kulturës, e cila po përgatit padinë në Gjykatën e Lartë. Sipas kësaj ministrie, prania e flamurit kombëtar paraqet cenim të multinacionalizmit, normë kjo e pozicionuar qartë në ligjet e vendit.

“Valëvitja e flamurit të shtetit fqinj, pa praninë e flamurit kombëtar të Malit të Zo paraqet veprim nacionalist, si dhe shkelje të normave të cilat janë të përcaktuara qartë me dispozitat  ligjore të Malit të Zi”, thuhet në deklaratë.

Më tej thuhet se harmonia ndëretnike dhe ndërfetare është një nga pasuritë themelore të shoqërisë malazeze.

“Duke respektuar të drejtat e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi, të cilët kultivojnë identitetin kulturor dhe kombëtar, me këtë rast edhe një herë theksojmë nevojën e respektimit të dispozitave ekzistuese ligjore, në mënyrë që të shmangen reagimet e ngjashme në të ardhmen. Sepse, ligjet e Malit të Zi duhet të jenë të njëjtë për të gjithë”, përfundon deklarata e Ministrisë së Kulturës.

Por ky paralajmërin është pritur me pakënaqësi nga nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu dhe koalicioni që mbanë pushtetin në Komunën e Tuzit, Forumi Shqiptar.

“Jam i befasuar për të keq. Ministria e Kulturës dhe punonjësit e saj absolutisht duhet ta dinë që ne, si popull shqiptar autokton në Mal të Zi, e kemi simbolin tonë kombëtar që sipas Kushtetutës kemi të drejtën e përdorimit të lirë, dhe gjithçka tjetër, për mendimin tim, është inicim i grindjeve me popullin tonë”, thuhet në reagimin e Nimanbegut.

Megjithatë, kundërreagimi nuk ka shkuar më larg se në veshin e Nimanbegut.

Përfaqësuesit e partive tjera shqiptare ende po shohin për “mënyrën më të përshtatshme” për reagim ndaj lirisë së shprehjes dhe festimit.

Ligji mbi simbolet kombëtare në Mal të Zi parasheh gjobë për përdorimin e çdo flamuri kombëtar pa flamurin e shtetit të Malit të Zi.

Kujtojmë se para pak muajsh është shënuar rasti i një qytetari në Ulqin, i cili u dënua për shkak se në makinën e tij kishte dy flamuj të vegjël shqiptarë, ndërsa në Malësi një qytetar tjetër u gjobit pasi kishte vendosur flamurin shqiptar në shtëpinë e tij private.  /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu