Maqedoni e Veriut, boshnjakët përmes një konference theksojnë rëndësinë e regjistrimit

Nën organizim nga Trupi Koordinues i Organizatave Boshnjake për Regjistrimin e Popullësisë 2021, në Shkup u mbajt një konferencë me temë “Rëndësia e regjistrimit të popullsisë për boshnjakët në Maqedoni dhe Rajon”.

Konferenca u drejtua nga Zeqir Ramçilloviç, deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ndërs atë pranishëm ishin deputetja nga Kosova, Duda Balje; Skender Kandiç, këshilltari i zv/kryeministres së Kosovës Emilija Rexhepi; zv/drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Xhelal Hoxhiç; si dhe profesorë universitetar, përfaqësues të organizatave joqeveritare boshnjake dhe të ftuar të tjerë.

Deputeti Ramçilloviç u bëri apel të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që të përfshihen aktivisht në regjistrimin e popullsisë duke pasur parasysh që për një periudhë 19 vjeçare nuk është realizuar regjistrim.

Të gjithë ata që përfshihen në një bojkot publik ose të fshehtë, duhet të marrin përgjegjësinë dhe të qëndrojnë në anën e drejtë, duke u bërë thirrje qytetarëve të përfshihen në këtë proces“, tha Ramçilloviç, duke bërë apel që të regjistrohen edhe shtetasit e Maqedonisë së Veriut që jetojnë jashtë vendit.

Edhe pjesëmarrësit tjerë në konferencë theksuan rëndësinë e regjistrimit, si për shtetin, ashtu edhe për bashkësitë etnike.

Ata bënë thirrje që boshnjakët të respektojnë veten, familjen dhe komunitetin, ndërsa theksuan se numri i boshnjakëve është i rëndësishëm për ndërtimin e politikave në arsim, kulturë, infrastrukturë, si dhe në përdorimin e gjuhës boshnjake.

Konferenca u mbajt në prag të fillimit të regjistrimit i cili do të mbahet nga 1 deri më 21 Prill. Organizatat joqeveritare të boshnjakëve kanë filluar një fushatë në lidhje me regjistrimin, të titulluar “Është me rëndësi të jesh boshnjak”.

Fushata synon të informojë komunitetin boshnjak në lidhje me regjistrimin dhe të thërrasë boshnjakët të regjistrohen. Sipas regjistrimit të vitit 2002, në Maqedoninë e Veriut u regjistruan 17.018 boshnjakë, apo 0.84 për qind e numrit të përgjithshëm të qytetarëve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu