“Maqedonia parimisht dakord”, Rama: Kemi diskutuar me Malin e Zi dhe Serbinë të fusim abetaren e unifikuar për popullatën shqiptare

Kryeministri i vendit, Edi Rama bëri me dije se ka diskutuar edhe me vendet e tjera të Ballkanit për të futur abetaren e unifikuar për pjesën e popullsisë shqiptare.

Nga Kongresi i Arsimit, Rama bëri me dije se Maqedonia e Veriut është parimisht dakord. Gjithashtu diskutime janë zhvilluar edhe me Malin e zi dhe Serbinë.

“Maqedonia është parimisht gati për të futur abetaren. Kemi diskutuar me Malin e Zi edhe me Serbinë për pjesën e popullatës shqiptare.

Është e rëndësishme sot të kujtoni nga u nisëm dhe përsëri edhe në këtë fushë vlen e njëjta gjë. Po të kujtojmë nga u nisëm sot jemi dita me natën. Po të mendojmë ku duhet të shkojmë sot jemi nata me ditën. Kemi shumë për të bërë. Jo se kështu duhet thënë për tu dukur mirë, por sepse kjo është e vërteta.

Mësuesit dhe mësueset ishin skllevër të politikës, nuk mund të vendosnin asgjë për fatin e tyre. Mund të gdhiheshin në një vend pune dhe mund të ngryseshin në një vend tjetër. i gjithë sistemi ishte i bazuar te politika, tesera e partisë dhe heqja e mësuesve nga kthetrat e politikës, pavarësimi i tyre, vendosja e figurës në qendër, e ka ndryshuar si ditën me natën situatën e mësuesve.“- tha Rama.

Sot nisi viti i ri shkollor për arsimin parauniversitar. Rreth 29 mijë nxënës ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Që në orët e para të mëngjesit.

Risi e këtij viti është abetarja e përbashkët për nxënësit e klasave të para në Shqipëri dhe Kosovë.

Marrëveshja për një abetare të përbashkët Shqipëri-Kosovë, u nënshkrua në dhjetor të vitit të kaluar në Prishtinë, në një mbledhje të përbashkët mes dy qeverive. Dakordësia për të patur një abetare të unifikuar u arrit në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës që u mbajt në Elbasan më 26 nëntor 2021.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu