Mariçiq për kapitullin 23: Reforma në drejtësi thelbësore për anëtarësimin në BE, kemi ende punë për të bërë

Takimi dyditor bilateral i skriningut për kapitullin 23, “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”, tregoi se kemi kapacitet sistematik dhe gatishmëri për ta përmirësuar atë me rregullat evropiane të funksionimit, vlerësoi zëvendëskryeministri përgjegjës për çështjet evropiane, Bojan Mariçiq, pas përfundimit të skrining takimit në Bruksel.

“Zbatimi i reformës në drejtësi do të jetë vendimtar në negociatat me BE-në. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është qëllimi ynë strategjik dhe ne i marrim të gjitha obligimet që duhet të përmbushim për të pasur sukses në këtë, në mënyrë që t’u ofrojmë qytetarëve institucione efikase që do të punojnë në standardet dhe parimet evropiane”, tha zëvendëskryeministri Mariçi , i cili është edhe negociatori kryesor me BE-në.

Kryeministri përgjegjës për çështjet evropiane, siç njoftoi SÇE, theksoi se kapitulli 23, “Gjyqësori dhe të drejtat themelore” kërkon një qasje të thellë dhe se na pret ende shumë punë, por se ka vullnet politik dhe përkushtim për zbatimin e reformave me me rezultate të dukshme.

“Kemi vullnet politik dhe jemi gati për reforma të përshpejtuara, me plan dhe detyra specifike për çdo institucion. Pajtueshmëria është në nivel të mirë, tani duhet të fokusohemi në aktivitetet që do të japin rezultate të matshme, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve”, theksoi Mariçiq.

Sipas tij, procesi i zgjerimit do të jetë një forcë shtytëse për reformat, për demokracinë, lirinë e mediave, liritë qytetare dhe sundimin e ligjit dhe të gjitha institucionet duhet të jenë plotësisht të përkushtuara.

Negociatori kryesor është i bindur se detyrat e kërkuara nga Komisioni Evropian në këtë fushë mund të përmbushen dhe njoftoi se do të vijë një periudhë në të cilën do të punohet për planifikimin e reformave dhe përgatitjen e Udhërrëfyesit, i cili duhet të japë rezultate të shpejta në praktikë.

Në këto dy ditë, ekipi negociator nga Maqedonia prezantoi tri tema: Antikorrupsioni dhe të drejtat themelore, me theks në politikën kundër korrupsionit dhe legjislacionin në lidhje me trajtimin dhe luftimin e korrupsionit, kapacitetet dhe instrumentet administrative, evidencat, shkalla e pajtueshmërisë dhe gjyqësorit, përmes njëzet e katër prezantimeve.

Skrining takimet dypalëshe për Klasterin 1, “Vlerat themelore” vazhdojnë javën e ardhshme. Të hënën do të zhvillohet skriningu dypalësh për zonën “Kriteret ekonomike”, të martën për zonën “Reforma në administratën publike” dhe Kapitullin 32 “Kontrolli financiar”, ndërsa të mërkurën për zonën “Funksionimi i institucioneve demokratike”.

Skrinigu dypalësh për tre fushat – Kriteret ekonomike, Reforma e administratës publike dhe funksionimi i institucioneve demokratike, mbahen për herë të parë sipas metodologjisë së re, theksojnë nga SÇE.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu