Marrëdhëniet Turqi-BE mund të ecin përpara me një vrull pozitiv të fituar gjatë muajve të kaluar, u theksua dje gjatë një paneli online, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjatë një uebinari online të organizuar nga Fondacioni “Circle” u diskutua e ardhmja e marrëdhënieve midis Turqisë, një kandidate për anëtarësimin në BE dhe bllokut nën dritën e zhvillimeve të fundit pozitive.
Zëvendës ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë dhe drejtori për Çështjet e BE-së, ambasadori Faruk Kaymakci tha se BE-ja nuk arriti të kuptojë disa çështje që ka ngritur Turqia.
Sa i përket çështjes së terrorizmit, Kaymakci theksoi se pala e BE-së përqendrohet vetëm tek DEASH-i në bashkëpunim kundër terrorizmit, por “ajo nuk vepron në përputhje me rrethanat” kur bëhet fjalë për organizatat terroriste PKK/YPG dhe FETO.
Gjithashtu ai foli për premtimin e BE-së lidhur me marrëveshjen për refugjatët të vitit 2016 midis palëve si dhe shtoi se udhëtimi pa viza nuk ishte materializuar.
Ai tha se udhëtimi pa viza do të krijonte mundësi.
Kaymakci tha se Turqia aktualisht ka strehuar 4.2 milionë emigrantë ndërsa BE-ja është e interesuar vetëm në menaxhimin e migracionit, por ajo nuk i ka përmbushur plotësisht premtimet e saj financiare për popullin sirian të strehuar nga Turqia.
“BE-ja dështoi në bashkëpunim në veri të Sirisë, duke kritikuar operacionet e Turqisë në rajon që ndihmuan sirianët të ktheheshin në vendin e tyre”, tha Kaymakci.
Gjithashtu si pjesëmarrës në uebinar, drejtori për Marrëdhëniet e Jashtme në Sekretariatin e Përgjithshëm të Komisionit Evropian, Michael Karnitschnig tha se “Turqia dhe BE-ja duhet të përqendrohen në zgjidhje pragmatike dhe praktike”.
Duke vlerësuar ndërveprimin e fundit midis BE-së dhe qeverisë turke, Karnitschnig shtoi se bisedimet e anëtarësimit të Turqisë në BE janë bllokuar, por “ekziston një moment i vrullit pozitiv”.
Marrëdhëniet BE-Turqi kanë hyrë në një vrull të ri me iniciativën e re për rifillimin e angazhimit pas tensioneve disa muajshe midis palëve për shkak të çështjeve të ndryshme, përfshirë të drejtat e kërkimit të naftës dhe gazit në Mesdheun Lindor dhe çështjen e Qipros.
Në mesin e panelistëve të tjerë që morën pjesë në uebinar ishin ish-ambasadori i Suedisë në Turqi, Michael Sahlin, profesori në Kolegjin e Evropës dr. Emiliano Alessandri dhe profesori Cigdem Nas.
Uebinari është i pari nga tre të organizuar nga Fondacioni “Circle”, një organizatë joqeveritare jofitimprurëse me qendër në Londër që synon të krijojë mundësi për diasporën turke.









