Mbledhja e Këshillit të Sigurimit në OKB, Kina i del në mbrojtje Serbisë, ja thirrja që ka për Kosovën

Përfaqësuesi i Kinës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara është shprehur se vendimi i Prishtinës për të hequr dinarin serb, ka cënuar normalitetin e popullsisë serbe në Kosovë.

Komentet ai i bëri gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Sigurimit, ku pjesë janë edhe presidentët Aleksandër Vuçiç dhe Vjosa Osmani.

Ai tha gjithashtu se duhet të vijojë puna për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Veri dhe shtoi se gjatë këtij procesi, duhet të ruhet pavarësia dhe integriteti i Serbisë.

“Dhuna në terren dhe intimidimet janë shumë shqetësuese. Vendimi i Kosovës për të hequr dinarin, ka cënuar normalitetin e jetës së serbëve të Kosovës. Ne i bëjmë thirrje Prishtinës të tërheqë këtë veprim të paarsyeshëm dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme. Krijimi i asociacionit të Komunave serbe është i rëndësishëm.

Ne shpresojmë se BE do të veprojë me paanshmëri në këtë çështje. Ne mbështesim të dyja palët në bisedime. Gjatë këtij procesi të respektohet pavarësia dhe integriteti i Serbisë. Ne vijojmë të mbështesim punën e misioneve ndërkombëtare në Kosovë dhe Prishtina duhet t’i respektojë këto institucione.

Muajin e kaluar Rusia kërkoi një takim për 25 vjetorin e bombardimeve të NATO-s, por disa vende anëtare refuzuan ta bënin këtë. Kanë kaluar 25 vite që kur NATO bombardoi Jugosllavinë. Situata mbetet e tensionuar. Njerëzit në Ballkan u druhen konflikteve. Statuti i OKB-së është shkelur disa herë. Nga ngjarjet e 25 viteve më parë nuk është mësuar asgjë”, tha përfaqësuesi i Kinës në OKB.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu