Mësimi online në Maqedoni do të vijojë të paktën edhe dy javë

Në Maqedoninë e Veriut procesi arsimor për të gjitha nivelet po vazhdon të zhvillohet online (“Mësimi në distancë”), pas vendimit të Qeverisë së RMV-së. Si pjesë e procesit arsimor, edhe në mësimin online duhet të kryhet notimi i gjithë nxënësve deri më 17 prill.

Shkollat rekomandohen që të mbajnë mbledhjet e Këshillit klasor, gjegjësisht Këshillit lëndor, si dhe mbledhjen e Këshillit arsimor në formë online përmes platformave të ndryshme.

Drejtorët e shkollave janë të detyruar që gjithë mbledhjet e mbajtura online t’i arkivojnë.

“Këshilli arsimor duhet të mbahet më së voni deri më 14 prill të vitit 2020. Vërtetimi i notave të nxënësve për tremujorin e tretë nga ana e këshillit klasor, gjegjësisht lëndor dhe nga këshilli arsimor, duhet të vendosen në Listat evidentuese dhe në e-ditarin, më ë voni deri më 17 prill të vitit 2020-të”, thuhet në njoftimin për shkollat.

Gjithashtu rekomandohet që mësimdhënësit të plotësojnë ditarin elektronik.

Ky rekomandim vjen pas Udhëzimit për mësimdhënësit për mënyrën e vlerësimit të nxënësve gjatë periudhës së realizimit të mësimit përmes mësimit në distancë përkatësisht mësimit nga shtëpia, të hartuar nga Byroja për zhvillimin e arsimit dhe Qendra për arsim professional dhe trajnim.

“Ekzistojnë numra teknik dhe metoda të përshtatshme për vlerësimin formativ të përparimit të nxënësve me shfrytëzim të platformave dhe rrjeteve elektronike. Kjo përfshin detyra siç janë: Pyetje esesh (përdorim të e-postës), punim të projekteve (nëpërmjet punës në grupe), diskutime me Skype ose Viber (ose diskutime nëpërmjet platformave dhe rrjeteve tjera ), prezantime multimediale, përgatitjen e posterave (nëpërmjet punës në grupe), projekte/detyra hulumtuese (nëpërmjet punës në grupe), teste të njohurive (mund të ndiqen nëpërmjet rrjeteve sociale, e-postës ose nëpërmjet platformës), ushtrime kontrolluese të nxënësve (mund të ndiqen nëpërmjet platformës elektronike, rrjeteve sociale, e-postës etj)”, thuhet në rekomandimin e Byros.

Ndërkohë, tashmë universitetet kanë filluar të shtyjnë afatet e kolokfiumeve të këtij semestri.

Ndryshe, Qeveria e RMV-së vendosi në muajin mars që viti shkollor të vazhdon në distancë gjatë kohës së epidemisë, duke propozuar tri forma të zhvillimit të Mësimit në distancë: përmes platformës Eduino, emisioneve edukative-arsimore në televizionin publik, si dhe përmes platformës që do e përzgjedhë vetë shkolla për zhvillimin e procesit arsimor sa më mirë ndërmjet nxënësve dhe arsimtarëve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu