“Mini-shengeni” sot në Tiranë, Kosova jo këtij takimi me Vuçiqin që mohon gjenocidin

Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor sot dhe nesër do të zbarkojnë në Tiranë në takimin e tretë rajonal mes këtyre vendeve të njohur si “Mini-shengeni”. Por, në këtë takim nuk do të jetë e pranishme Kosova.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka refuzuar ftesën e mikpritësit të këtij takimi, përcjell Balkanweb. “Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës”, ka nënvizuar Thaçi.

Ky takim vjen pas dy takimeve të mëparshme të këtij niveli të zhvilluara në Novi Sad të Serbisë dhe në Ohër të Maqedonisë së Veriut ku morën pjesë liderë dhe përfaqësues të lartë shtetërorë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve europiane.

Kosova e ka refuzuar pjesëmarrjen edhe në dy takimet paraprake. Ndërsa dje kryeministri Rama deklaroi se tryeza e radhës për projektin e Shengenit Ballkanik është pjesë e një procesi ku veç ëndrrës ka dhe një plan konkret pune të mirëstudiuar.

Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama nënvizoi se mospjesëmarrja e Kosovës në këtë tryezë, e cila pranohet dhe nga SHBA dhe Europa, e nxjerr humbëse politikën e Kosovës në sytë e vëllezërve amerikanë. “Ne kishim rënë dakord që do bënim këtë samit në Durrës dhe përkon koncerti me një ditë përpara samitit, ku s’do jenë vetëm Presidenti i Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, por do të jenë dhe të tjerë. Do vijë nga SHBA, nuk e di nga Kosova. I dërguari special, Palmer, më ka kërkuar dy ftesa zyrtare, sepse do dërgojë dy persona të posaçëm nga DASH në mbështetje të këtij procesi”-, tha Rama. “Vuçiç ishte skandaloz në drejtim të deklaratave për “Raçakun”, unë e thashë me zë të lartë. Kjo ishte vërtet një simptomë e faktit se Serbia nuk është shkëputur deri në fund nga e shkuara e saj. E dyta, unë se dua paqen, dhe nuk e dua Shengenin rajonal dhe nuk e dua transformimin historik për t’i bërë Serbisë ndonjë nder apo për të mirë të Serbisë. Unë e dua për Shqipërinë, Kosovën dhe për shqiptarët”, theksoi ai. Në Tiranë do të jetë i pranishëm kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, por është paralajmëruar edhe prania e presidentit malazez Milo Gjukanoviq dhe përfaqësuesit të Bosnjë – Hercegovinës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu