Ministri Bekteshi: Rreth 150 kompani ushqimore do të transferohen në treg të rregulluar të energjisë elektrike për të ulur çmimet e produkteve bazë ushqimore

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se nga 100 deri në 150 kompani nga industria ushqimore do të kalojnë në tregun e rregulluar. Kjo është një nga mënyrat dhe masat për uljen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë, e rrjedhimisht edhe të inflacionit. Kjo masë do të vlejë nga data 1 dhjetor 2022.

“Duke pasur parasysh se ne duhet të pwrballemi me inflacionin në fushën e ushqimit dhe disa kompani që prodhojnë produkte ushqimore bazë kanë tre deri në katër, madje edhe 10 herë më shumë kosto në hyrje të energjisë elektrike, për të ulur këto kosto që janë input direkt në çmimin final, ato veprimtari do t’i hedhim në tregun e rregulluar, me çmim konkurrues të energjisë elektrike, por me detyrim uljen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë”, tha ministri.

Ministri informoi se deri më tani nga fillimi i vitit shteti ka shpenzuar 272 milionë euro për përballimin e krizës energjetike, mjete të dedikuara për subvencionimin e çmimit të energjisë elektrike, por edhe për mbështetjen e likuiditetit të EMV-së.

“Nëse Qeveria nuk do të kishte ndërhyrë në likuiditetin e EMV-së, çmimi i energjisë elektrike deri më tani do të ishte mbi 5 herë më i lartë. Ne si Qeveri po bëjmë të gjitha përpjekjet që çmimi i energjisë elektrike të prodhuar nga EMV, që është kompani shtetërore, të jetë më i ulëti në rajon”, tha ministri Bekteshi.

Sa i përket ngrohjes, ministri Bekteshi tha se gazi është blerë për dy javët e para të tetorit me çmimin më të volitshëm, që është dyfish më i lirë se ofertat e mëparshme dhe pritet që nga muaji i ardhshëm gazi të ofrohet me çmim më konkurrues për të pasur kosto sa më të ulëta për qytetarët.

“Më 15 tetor me fillimin e sezonit të ngrohjes do të fillojë furnizimi me energji tw ngrohjes, radiatorët në Shkup do të ngrohen. Energjia e ngrohjes do të jetë në dispozicion deri në fund të sezonit të ngrohjes”, tha ministri Bekteshi në Kanal 5.

Ministri u bëri thirrje qytetarëve që të ndjekin masat dhe rekomandimet e Qeverisë për kursime, pasi do të kursejnë edhe në buxhetin e brendshëm.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu