Ministri francez akuzon për mashtrim SHBA-në dhe Australinë mbi paktin e sigurisë

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, ka akuzuar Australinë dhe SHBA-në se kanë gënjyer për një pakt të ri sigurie që bëri që Parisi të tërhiqte ambasadorët nga këto dy vende.

Në një intervistë për televizionin France 2, Jean-Yves Le Drian akuzoi gjithashtu vendet për “mashtrim, një shkelje e madhe e besimit dhe përbuzje”.

Pakti, i njohur si Aukus, do t’i japë Australisë teknologjinë për të ndërtuar nëndetëse me energji bërthamore. Ky veprim pengoi një marrëveshje shumë miliardë dollarëshe që Franca kishte nënshkruar me Australinë.

Marrëveshja, e cila gjithashtu përfshin Britaninë, shihet gjerësisht si një përpjekje për të kundërshtuar ndikimin e Kinës në Detin e kontestuar të Kinës Jugore.

Franca u informua vetëm disa orë para se të bëhej njoftimi publik në fillim të kësaj jave. Le Drian paralajmëroi se një “krizë serioze” ishte në progres midis aleatëve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu