Ministri francez kërcënon Britaninë: Duhet ta përdorim gjuhën e forcës, duket se veç këtë e kuptojnë

Ministri francez për Çështje të BE-së, Clement Beaune, ka thënë se Parisi tani duhet ta përdorë gjuhën e forcës, pasi forcat franceze sekuestruan një barkë britanike që e gjetën duke peshkuar pa leje. Tensionet eskaluan pasi Britania e Madhe nuk u dha leje për peshkim disa barkave franceze.

“Pra, tash, ne duhet që ta flasim gjuhën e forcës, pasi duket se kjo është e vetmja gjë që qeveria britanike e kupton. Kemi qenë jashtëzakonisht të durueshëm, barkat tona të peshkimit kanë qenë jashtëzakonisht të përgjegjshme, sepse është një humbje e madhe e aktivitetit të tyre”, tha ministri Beaune.

“Nga nëntori, merr fund. Do ta hapim dialogun, nëse britanikët duan dialog – varet nga ta – por ne do të vendosim masa hakmarrëse, sepse nuk ka arsye që ne të mos kemi qasje në ujërat e tyre, kur ata kanë qasje në portet tona”, shtoi ai.

Një barkë britanike është ndaluar afër portit të Le Havre-s në orët e hershme të së enjtes, ndërsa një barke tjetër i është tërhequr vërejtja në mënyrë verbale. Autoritetet franceze thanë se kontrollet ndaj barkave kanë qenë procedura rutinore.

Pati kërcënim edhe për furnizimin me energji të Britanisë së Madhe, nëse masat fillestare të Francës nuk e sjellin lëshimin e lejeve shtesë për francezët, shkruan The Guardian.

Ky veprim nxiti reagim dramtik nga qeveria britanike, ku një zëdhënës i Kryeministrit Boris Johnson tha se qeveria do të hakmerret ndaj masave që i përshkroi si shkelje potenciale të ligjit ndërkombëtar.

Burimet në Bruksel konfirmuan se ende nuk ka përkrahje në mesin e 26 shteteve anëtare që Bashkimi Evropian të marrë masa kundër Mbretërisë së Bashkuar për këtë çështje duke e përdorur mekanizmin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në marrëveshjen për tregti dhe bashkëpunim.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu