Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, bisedoi nëpërmjet telefonit me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, në lidhje me veprimtarinë ushtarake të Rusisë në kufirin ukrainas.
Në postimin e tij në Twitter, Kuleba deklaroi se me shefin e diplomacisë evropiane kanë diskutuar përshkallëzimin e situatës së sigurisë nga ana e Rusisë.
Duke vënë në dukje se Borrell ka shprehur mbështetjen e BE-së ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës, Kuleba tha se Borrell e ka ftuar atë në takimin e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së më 19 prill.
Tensionet në kufirin Ukrainë-Rusi
Shefi i Shtabit të Ukrainës, Ruslan Khomchak, në një fjalim të mbajtur në parlament më 30 mars tha se Rusia me arsyetimin e stërvitjes ka kryer pozicionime ushtarake në afërsi të kufijve të Ukrainës.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitriy Peskov, ka deklaruar se Rusia lëvizi forcat e saj të armatosura brenda territorit të saj sipas vendimit të saj dhe se kjo nuk përbën kërcënim për askënd.
Lidhur me zgjidhjen e krizës në rajonin Donbas, Grupi i Kontaktit Trepalësh i përbërë nga Rusia, Ukraina dhe OSBE-ja mori vendimin për një armëpushim gjithëpërfshirës që nga 27 korriku 2020.
Në konfliktet që vazhdojnë që prej vitit 2014 mes qeverisë së Kievit dhe separatistëve pro-rusë të cilët kanë shpallur në rajon të ashtuquajturën pavarësi, kanë humbur jetën mbi 13 mijë persona.









